Besa: Kasami nuk do shkojë sot në Tiranë, do kërkojmë takim tjetër
Nga Lëvizja Besa njoftojnë se kreu i tyre, Bilall Kasami nuk do të shkojë në takimin e liderëve të partive politike shqiptare me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, përcjell TV21. Nga kjo parti thonë se do të organizojnë takim tjetër me Ramën, ndërsa theksojnë se nga BDI kur nuk mund të menaxhojnë situatën në Qeveri, kërkojnë ndihmë nga Rama.
“Vija mes të qenit i dobishëm në një situatë të ngushtë, për dikënd, dhe të qenit i përdorur është shumë e hollë, andaj, kujdes! Artan Grubi por edhe Ali Ahmeti, sa herë që mbeten në udhëkryq nga mos dija se si të menaxhojnë situatën e krijuar në Qeveri, ata kërkojnë ndihmën e Edi Ramës, ose më shkurt thënë, e përdorin kryeministrin shqiptarë për ti ndihmuar ata për të dalë nga situata. Edhe kësaj here, Artan Grubi dhe Ali Ahmeti, duke mos ditur se si të gjinden në këtë situatë të krijuar politike në Mqedoninë e Veriut, ata iniciuan gjoja se një takim me kryeministrin shqiptar, duke e përdorur edhe një herë atë dhe autoritetin e tij, për t’i nxjerrë nga balta ku janë zhytur tash e dy dekada. Lëvizja BESA dhe Bilall Kasami, sa herë që frekuentojnë Tiranën zyrtare, hasin në një mikpritje të ngrohtë andaj dhe këtë mikpritje do e kemi sërish, shumë shpejtë në një takim me zotin Rama, por si parti serioze, si parti e cila bën koordinim dhe jo si parti e cila në emër të koordinimit apo ndihmës që kërkon, shfrytëzon për interesa personale edhe Tiranën zyrtare por edhe kryeministrin shqiptarë”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Lëvizjes Besa.