Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë të ditur se më 22 dhjetor do të mbahet protestë kombëtare deri në krijimin e qeverisë teknike.
Duke folur në mbledhjen e kryesisë, Berisha tha se mazhoranca përdori në zgjedhjet e fundit “të gjitha potencialet e shtetit, vetëm gjoba dhe kamata 2 miliardë euro, që u intereson 200 mijë familjeve, nga të cilat 84 mijë biznese aktive”
Në këto kushte sipas tij, PD është para një alternative, të vazhdojë të mbetet “opozitë e farsave elektorale apo do përcaktojë qëllim të saj rrëzimin e këtij armiku të egër të votës së shqiptarëve, rikthimin e tyre, qeverinë teknike dhe marrjen e vlerësimit të qytetarëve të lirë”.
“Në një vend ku parlamenti kontrollohet në çdo sekondë, çdo minutë dhe çdo qelizë nga narkodiktatori. Në një vend ku parlamenti me qëllim shndërrohet në institucionin më të diskredituar të vendit. Sepse është i vetmi institucion pluralist deri tani, ndaj dhe duhet të damkoset në mënyrën më të fuqishme në çdo gjë. Në një vend ku mediat janë shndërruar në altoparlantë të pushtetit kundër opozitës dhe mbulimit të krimeve të pushtetit dhe damkosjes së opozitës. Në një vend ku lobingjet zëvndësojnë standardet. Zëvendësojnë kriteret. Paratë e taksapaguesve përdoren për deklarata të blera”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se e ndodhur në këtë situatë, Partia Demokratiek do të bëjë “përpjekjet për të rikthyer votën, për të larguar këtë qeveri nga pushteti, e cila me votë absolutisht nuk largohet”.
Sipas Berishës, më datë 22 do të mbahet protestë kombëtare.
“Kërkojnë ne që të mos filozofojmë, por të përqendrojmë të gjitha forcat tona për të larguar nga pushteti këtë pushtet krimi, përndryshe zgjedhjet e tjera do i kishte 63 për qind minimumi. Ose sa të dojë. Ndaj dhe duhet të fillojmë protestat. Duhet t’i besojmë protestës.
Duhet të organizojmë protestat, duhet t’i fillojmë sa më parë. I kemi filluar ato që janë te kryeministria. Por me datën 22, duhet të thërrasim protestë kombëtare. Ata shqiptarë që vijnë, ata janë të bekuar. Ata që nuk do vijnë, do vijnë më vonë. Por ne kurrë nuk do bëhemi pengesë, përkundrazi nxitës të protestave gjer ditën e fundit që të krijohet qeveria teknike në këtë vend për zgjedhjet e lira. Agjendë tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë PD”, tha më tej Berisha.

