U.d. kryetari i Alternativës, Bekim Sali, ka reaguar përmes një statusi publik pas vlerësimit pozitiv të Komisionit të Venedikut për Ligjin për përfaqësim adekuat, duke e cilësuar këtë si një konfirmim të rëndësishëm të qasjes së Qeverisë VLEN në adresimin e çështjeve të mbartura ndër dekada.
Sali thekson se, ndonëse Ligji për përfaqësim adekuat buron nga dispozitat e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ai nuk është përmbyllur për më shumë se dy dekada nga strukturat që kanë qenë në pushtet gjatë kësaj periudhe. Sipas tij, kjo dëshmon mungesën e vullnetit politik të qeverive të mëparshme për ta zgjidhur këtë çështje thelbësore.
“Pas zgjidhjes institucionale të çështjes së Medresesë, tashmë po finalizohet edhe Ligji për përfaqësim adekuat, i cili synon të garantojë transparencë, barazi dhe parandalim të keqpërdorimeve në proceset e punësimit, avancimit dhe përfaqësimit të drejtë në institucionet publike”, ka deklaruar Sali.
Ai ka nënvizuar se Qeveria VLEN mbetet e përkushtuar ndaj realizimit të premtimeve të dhëna dhe ndaj mbylljes së të gjitha çështjeve të hapura përmes mekanizmave ligjorë dhe institucionalë.
Në fund të reagimit, u.d. kryetari i Alternativës e ka cilësuar këtë zhvillim si një arritje historike, duke uruar institucionet dhe qytetarët për këtë hap të rëndësishëm drejt forcimit të barazisë dhe drejtësisë institucionale.

