May 8, 2024
Lajmet e reja

Bekim Sali: Ju garantojmë banorëve të Çairit se nga e hëna do të jenë të lirë nga presionet dhe shantazhet

NË emisionin në Klan Maqedoni, Bekim Sali tha se në ditën e zgjedhjeve ka pasur presion të hatashëm nga përfaqësuesit e BDI-së ndaj qytetarëve.
Ai tha se nga ana e BDI-së ka pasur transportim të votuesve, ndërsa sipas tij, kjo nënkupton kontroll mbi atë se për kë duhet të votojnë.
Sali tha se nga ana e shtabit të Visar Ganiut janë uzurpuar objektet që ju takojnë gjithë qytetarët.
“Nëse ja dëshirojmë të mirën ne duhet që komunën e Çairit ta lirojmë dhe të mos e transferojmë në një shtab të madh partiak. Kjo duke e ditur faktin e gjithçka që ndodhë në partinë e Ganiut, zhvillohet në ambientin e komunës së Çairit”, tha Bekim Sali.
Bekim Sali kërkoi nga Ganiu që të bëj thirrje deri tek aktivistët që të mos bëjnë presione ndaj votuesve dhe t’i lënë të lirë ata që ta shprehin vullnetin e tyre.
“Kemi nga 100 telefonata nga persona që na tregojnë se ju bëhet presion për takime të detyrueshme me shefin e shtabit, zëvendësin e shtabit, dhe të tjerët. Ne nuk i kemi publikuar duke i mbrojtur njerëzit, ne po mundohemi me çdo kusht t’i mbrojmë ata dhe t’i sigurojmë se përpos kërcënimit nuk mund të bëjnë asgjë dhe prej ditës së hënë ata do të jenë të lirë”, deklaroi Bekim Sali.