Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministër për Çështje Evropiane, Bekim Sali, mori pjesë në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore, ku vlerësoi kontributin e saj të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të vendit gjatë dy dekadave të fundit.
Në fjalën e tij, Sali theksoi se Oda ka qenë një zë i fuqishëm i komunitetit të biznesit, partner i rëndësishëm i institucioneve dhe faktor i rëndësishëm në promovimin e zhvillimit ekonomik. Ai potencoi se një ekonomi e fortë nënkupton më shumë vende pune, paga më të mira dhe perspektivë më të sigurt për qytetarët.

Duke folur për sfidat bashkëkohore, Zëvendëskryeministri i Parë theksoi se digjitalizimi, inteligjenca artificiale, tranzicioni i gjelbër, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe konkurrenca globale kërkojnë partneritet më të fortë ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat.

“Roli i institucioneve është të krijojnë kushte të favorshme për zhvillim përmes sigurisë juridike, procedurave efikase dhe politikave që nxisin investimet dhe inovacionin. Ndërsa biznesi mbetet forca që krijon vlerë, vende pune dhe konkurrueshmëri për ekonominë tonë”, theksoi Sali.

Në fund, ai shprehu mirënjohje për themeluesit, drejtuesit dhe anëtarët e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore për kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit dhe uroi që vitet e ardhshme të sjellin investime të reja, rritje ekonomike dhe mundësi më të mëdha për biznesin dhe qytetarët.

sqShqip