Bekim Qoku

Arrestimi i ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi është një moment që kërkon reflektim serioz institucional dhe politik. Kujtojmë se ai është sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, duke u shpallur non grata për përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm, konkretisht për pranimin e ryshfetit me qëllim minimin e proceseve gjyqësore që lidhen me dënimin penal të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të shërbimit sekret dhe figurë e lidhur me afera të shumta dhe politika antishqiptare.

Artan Grubi është një nga protagonistët kryesor që gjyqësori në MV gëzon reputacionin më keq në rajon.

BDI, shpesh më shumë një strukturë parapolitike sesa parti politike, ka kontribuar drejtpërdrejt në degradimin e sistemit gjyqësor. Këtë nuk e themi vetëm ne. Raportet e Komisionit Evropian dhe deklarimet e ambasadorëve të vendeve mike, përfshirë SHBA-të dhe Holandën, kanë ngritur vazhdimisht alarmin për ndërhyrje flagrante politike në drejtësi.

Faktet janë kokëforta. Në këtë legjislaturë, në radhët e Kuvendit ku ulet BDI bashkë me Levicën, ka deputetë të përfshirë në bisedat e publikuara në “bombat” e famshme, ku flitej hapur për emërime, shkarkime, presione dhe pazare me gjyqtarë e prokurorë. Drejtësia trajtohej si pronë private dhe si instrument për interesa klanore, e mbështjellë me retorikë etnike për të justifikuar kontrollin dhe kapjen e institucioneve.

Rasti i Ixhet Memetit, i cili për më shumë se dy dekada ishte në majat e sistemit dhe përfundoi i dënuar për korrupsion, është simbol i kalbëzimit institucional. Edhe rasti i gjyqtarëve të futur në Listën e Zezë të SHBA-ve, përfshirë Enver Bexhetin, dëshmon se kapja e drejtësisë nuk është narrativë politike, por realitet i dokumentuar ndërkombëtarisht.

Kur kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, nuk pranoi t’i nënshtrohej presioneve politike, u tentua shkarkimi i saj. Sot, zhvillimet rreth Gjykatës Kushtetuese dhe debatet që instrumentalizojnë çështjen e gjuhës shqipe ngrenë dyshime serioze se kauza legjitime po përdoret për të mbuluar interesa të errëta të rrjeteve të korruptuara. Gjuha shqipe nuk mbrohet nga gjyqtarë të komprometuar dhe as nga struktura që e kanë përdorur drejtësinë si mburojë për pazaret e tyre.

Arrestimi i Artan Grubit duhet të jetë pikë kthese. Askush nuk është mbi ligjin. Shqiptarët nuk kanë nevojë për patronë që flasin në emër të tyre, ndërkohë që negociojnë fatin e drejtësisë në tavolina të fshehta. Ata kanë nevojë për institucione të pastra, për drejtësi të pavarur dhe për përfaqësim me integritet.

Gjyqësori, si një nga fushat më delikate për reforma, fatkeqësisht vazhdon të mbetet nën ndikimin e figurave të mbetura nga regjimi i kaluar BDI-LSDM. Kjo ka qenë një nga arsyet kryesore pse proceset e reformimit kanë ngecur dhe pse besimi i qytetarëve ka rënë në nivele alarmante.

Arrestimi i gjykatësit Gjoko Ristov në shtëpinë e prindërve të të cilit u gjetën 350 mijë euro të fshehura në mur ka rënduar besimin e gjyqësorit edhe më tej.

Sot drejtësia vihet sërish në provë. Ky është momenti për të rivlerësuar kredibilitetin e saj dhe për të dëshmuar se është e aftë të veprojë e pavarur, pa ndikime politike dhe pa standarde të dyfishta.

Deri më tani, besimi publik ndaj sistemit gjyqësor ka qenë skandalozisht i ulët. Kjo situatë nuk mund të vazhdojë.

Rasti aktual është një mundësi reale që drejtësia të përmirësojë imazhin e saj dhe të rikthejë besimin e qytetarëve.

sqShqip