Bekim Fazliu nga VLEN ka akuzuar sot se Kompania e afërt me familjen e kryetarit të BDI, Ali Ahmeti, ka marë kredi pesë milionë euro nga një bankë serbe.
“Të nderuar qytetarë, të nderuar gazetarë,
Ka kaluar plot një javë që kur hapëm aferën më të madhe politiko-financiare në historinë më të të re të Maqedonisë së Veriut. Për një javë, Ali Ahmeti dhe BDI janë në heshtje totale. Për një javë shpresojnë se duke fshehur të vërtetën, kjo do të zhduket.
Menduan se nëse paraqesim iniciativën në Komisionin e Antikorrupsionit, ne do të ndalemi dhe do të presim. U gënjyen. Ne nuk u ndalëm, por vazhduam të hulumtojmë. Edhe sot, do t’ju paraqesim prova të reja që dëshmojnë se lidhja kriminale e familjes Ahmeti me regjimin e Aleksandar Vuçiqit nuk është e djeshme. Është më e vjetër, më e thellë dhe shumë më e rrezikshme se sa mund ta kishim imagjinuar.
Deri tani e dinim se kompania fantazmë e familjes Ahmeti, “AS Senjak”, e pompuar me miliona euro para publike nga tenderët, shërbeu si ndërmjetës për transferimin e aksioneve të Sasho Mijalkovit në duart e Bankës serbe Alta banka”, tha Fazliu.
Ai shtoi se sot “hapim një kapitull të ri të kësaj afere”.
“Kompania “AS Senjak” nuk është një kompani e zakonshme. Ajo është epiqendër e një rrjeti biznesi, një kompani-nënë që zotëron aksione edhe në kompani të tjera.
Duke hulumtuar atë rrjet, arritëm në një zbulim të tmerrshëm. Një nga kompanitë në të cilën “AS Senjak” e familjes Ahmeti është pronare, ka marrë një kredi të drejtpërdrejtë nga Alta banka nga Beogradi!
Më 9 qershor 2025, përmes një kompanie në të cilën “As Senjak” është bashkëpronare, është tërhequr një kredi prej 5.000,000 euro nga Alta banka. Për të njëjtën kredi, kompania është e obliguar të paraqesë raporte dhe njoftime të rregullta në Bankën Popullore të Serbisë!
Më lejoni të përsëris për të qenë më i qartë: nuk flasim për shitjen e aksioneve para rreth njëzet ditësh”, theksoi Fazliu, duke shtuar se bëhet fjalë për një injeksion të mëparshëm financiar të drejtpërdrejtë nga banka e regjimit serb në perandorinë biznesore të Ali Ahmetit.
“Çfarë do të thotë kjo?”, pyeti Fazliu, duke u përgjigjur:
“Kjo e eliminon plotësisht tezën se mund të bëhet fjalë për një marrëveshje biznesore të izoluar, e njëhershme. Kjo tregon se bashkëpunimi, besimi dhe lidhjet financiare midis familjes Ahmeti dhe bankës së Vuçiqit kanë ekzistuar edhe para kësaj afere.
Shitja e aksioneve të Mijallkovit nuk ishte fillimi, por vetëm vazhdimi ose ndoshta kurora e një bashkëpunimi tashmë të vendosur dhe sekret. Paratë nga Beogradi veçmë janë derdhur në kompanitë e Ahmetit.
Kjo hap pyetje të reja, edhe më serioze, për të cilat Ali Ahmeti nuk mund të heshtë më:
Ali Ahmeti, kur saktësisht daton bashkëpunimi juaj me bankën e regjimit të Aleksandar Vuçiqit? Kur është marrë kjo kredi dhe për çfarë u përdorën ato para?
A është shitja e aksioneve nga “Stopanska banka” Manastir, ndoshta një mënyrë për ta shlyer këtë kredi apo pjesë e ndonjë marrëveshje më të madhe që akoma do ta zbulojmë?
Me çfarë garantohet ajo kredi? Me pronë, me ndikim politik, apo me premtimin se do t’i shisni interesat kombëtare të shqiptarëve?
Sa para gjithsej nga regjimi serb kanë hyrë në kompanitë e familjes suaj? A është kjo e vetmja kredi apo ka edhe të tjera?
Të nderuar,
Fotografia po bëhet më e qartë. Ky nuk është vetëm korrupsion politik, por është varësi financiare nga qendrat që punojnë hapur kundër interesave të shqiptarëve dhe vendit tonë. Ndërsa, aktrojnë patriotizëm para kamerave, prapa skenave kanë bërë marrëveshje dhe kanë marrë kredi nga ata kundër të cilëve supozohet se po luftojnë.
Heshtja e tyre nuk është më një opsion. Çdo ditë heshtje është vetëm konfirmim se ata janë kapur të gjallë në krim dhe tradhti. Ne vazhdojmë përpara. E vërteta duhet të dalë në shesh në tërësi”.

