Një grup shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian kanë dalë me një propozim të ri që parashikon kufizimin e të drejtës së votës për vendet e reja anëtare gjatë një periudhe kalimtare pas anëtarësimit në BE.
Sipas propozimit, shtetet që i bashkohen bllokut evropian nuk do të kenë të drejtë të plotë vote në çështjet ku kërkohet unanimitet, si zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Evropian, politika e përbashkët e jashtme dhe ajo e sigurisë.
Nisma është mbështetur nga Gjermania, Franca dhe vendet e Beneluksit – Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu. Në Ballkanin Perëndimor, deri më tani, propozimi është pranuar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Përveç kufizimit të përkohshëm të të drejtës së votës, pesë shtetet propozuese kërkojnë forcimin dhe zgjatjen e vlefshmërisë së klauzolave mbrojtëse që do të zbatoheshin në fusha të ndjeshme si siguria e brendshme e BE-së, siguria ekonomike dhe mbrojtja nga ndërhyrjet e huaja.
Një rëndësi e veçantë i kushtohet sundimit të ligjit. Dokumenti propozon një mekanizëm të ri për parandalimin e prapakthimit nga standardet evropiane, duke parashikuar masa automatike në rast të shkeljeve të vlerave themelore të Bashkimit Evropian.
Në rast të shkeljeve, mund të aktivizohen sanksione financiare, procedura për shkelje të detyrimeve ose mekanizma të tjerë mbrojtës. Gjithashtu, parashihet mundësia e pezullimit të formave të caktuara të bashkëpunimit me shtetin anëtar që nuk respekton standardet e kërkuara.
Propozimi përfshin edhe një kusht të ri politik për vendet që synojnë anëtarësimin, duke kërkuar pjesëmarrjen në Zyrën e Prokurorit Publik Evropian si një instrument kyç për mbrojtjen e sundimit të ligjit dhe luftimin e keqpërdorimit të fondeve evropiane.
Nisma konsiderohet si pjesë e përpjekjeve të BE-së për të siguruar që zgjerimi i ardhshëm të mos ndikojë negativisht në funksionimin e institucioneve evropiane dhe në respektimin e vlerave themelore të unionit përcjell Zhurnal.mk .

