Takimi i fundit ndërmjet Besnik Bislimit dhe Petar Petkoviqit, kryenegociatorët e dialogut Kosovë – Serbi, u mbajt më 11 shtator në Bruksel, nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Peter Sorensen.

Rundi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve përfundoi pa përparim, palët mbetën larg dakordësisë rreth çështjeve kyçe.

Se a pritët të ketë ndonjë takim të radhës pas një ngërçi politik edhe në Kosovë me mos formimin e qeverisë dhe me zgjedhjet e 28 dhjetorit, “Front Online” ka dërguar pyetje te Bashkimi Evropian.

Nga Bashkimi Evropian është bërë e ditur se një takim i nivelit të lartë të dialogut do të thërritet.

“Sa i përket dialogut Beograd–Prishtinë, PSBE/ZNK Kallasi do të thërrasë një takim të nivelit të lartë të dialogut sapo situata ta lejojë”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Ish-kryenegociator të dialogut e ish-ambasador kanë paralajmëruar se procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mbetet i bllokuar deri në formimin e qeverisë së re, pasi ndërmjetësit ndërkombëtarë presin krijimin e institucioneve legjitime për të rifilluar bisedimet.

Deri atëherë, nuk pritet asnjë lëvizje konkrete në drejtim të dialogut.

Ish-ambasadori Dedaj: Dialogu Kosovë – Serbi, i bllokuar për shkak të regjimit Kurti – Osmani

Ish-ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj është deklaruar lidhur me mungesën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Ai ka akuzuar Qeverinë Kurti për, siç thotë ai “kapitullim dhe degradim të diplomacisë kosovare”.

“Gjate mandatit të regjimit Kurti-Osmani, diplomacia dhe politika e jashtme e Kosovës ishte e kapitulluar dhe e denigruar si kurrë më parë. Kosova veç se është nën izolim dhe nën sanksione të BE-së dhe SHBA-së, nuk ka qasje në institucionet kredibile të Uashingtonit, Brukseli”, tha ai.

Sipas Dedajt, Bashkimi Evropian nuk mund të vazhdojë bisedime me lidership arrogant e mashtrues.

“Me një lidership të tille arrogant, mashtrues dhe anarkist, BE nuk mund të vazhdoj bisedime shterpe dhe të kota me ish regjimin Kuri-Osmani dhe përfaqësuesit e Serbisë, të cilët poashtu janë bllokues dhe përjashtues në raport me Kosovën”, deklaroi Dedaj.

Dedaj tha se pret që zgjedhjet e 28 dhjetorit të sjellin fitore për opozitën, çka sipas tij do të hapte rrugën për riparimin e partneritetit me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n.

“Duhet të pritet rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku partitë ish opozitare PDK, LDK,AAK, do të arrijnë fitore historike dhe të rifilloj riparimi i partneritetit me SHBA,BE, NATO-n dhe partnerët e Kosovës, duke përfshirë edhe stabilizimin e raporteve me Serbinë fqinje dhe vendet e rajonit”, u shpreh Dedaj.

Ish-kryenegociatori: Dialogu rifillon javën e parë pas krijimit të qeverisë së re

Avni Arifi, ish-kryenegociatori i Kosovës në dialog me Serbinë tha se procesi i dialogut nuk do të lëvizë përpara deri në krijimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Arifi paralajmëroi se menjëherë në javën e parë pas konstituimit të ekzekutivit të ri, pritet të rifillojë procesi i bisedimeve me ndërmjetësimin e BE-së.

“Deri në krijim të institucioneve as nuk ka, as nuk do të ketë diçka. Javën e parë që krijohet Qeveria e re do të fillojë procesi i dialogut. Ka plot që mendojnë se duke zvarritur krijimin e institucioneve u ikim disa obligimeve, por në fakt janë duke na u trashur ato obligime”, shprehet Arifi për “Front Online”.

Njohësi i integrimeve evropiane: Dialogu Kosovë – Serbi në Bruksel është praktikisht i bllokuar

“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është praktikisht i bllokuar që nga rasti i Banjskës”, kështu ka deklaruar njohësi i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi.

Sipas tij, takimet e fundit po mbahen vetëm për ta mbajtur gjallë frymën e dialogut.

Ai shtoi se deri në krijimin e institucioneve të reja, nuk mund të pritet dialog i mirëfilltë.

“Takimet në Bruksel janë sa për ta mbajtur frymën e dialogut që BE po lëviz në këtë drejtim por që nga rasti i Banjskës nuk ka pasur realisht asgjë asnjë takim real sa i përket dialogut. Nuk besoj që mund të ketë dialog real i ndonjë niveli të lartë dhe nuk mund të prodhohet asgjë pavarësisht se kush shkon atje apo çfarëdo veprimi që merr pa formimin e Qeverisë dhe Kuvendit”, ka thënë Arifi.

Sadiku: Ndërkombëtarët s’kanë interes të negociojnë me qeveri të përkohshme

Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku është deklaruar lidhur me situatën institucionale në vend, duke theksuar se mungesa e një qeverie me legjitimitet të plotë ka ndikuar ndjeshëm në funksionimin normal të shtetit.

“Shumica e takimeve janë mbajt në Presidencë e Kuvend për shkak mungesës së legjitimitetit të Qeverisë. Kjo ndikon negativisht se që një vit nuk kemi qeveri”, ka thënë ai.

Sipas Sadikut, partnerët ndërkombëtarë nuk kanë interes të zhvillojnë procese të rëndësishme politike me ekzekutivin aktual.

“Pa pasur një qeveri legjitime që del prej zgjedhjeve të 28 dhjetorit as ata s’kanë interes sepse e dinë që është qeveri e përkohshme”, tha Sadiku./zeri

sqShqip