May 2, 2024
Rajon - Botë

BE-ja i kërkon Izraelit të mos e kufizojë ndihmën humanitare për qytetarët në Gaza

Komisioni Evropian ka njoftuar se një aeroplan i dytë mallrash me furnizime thelbësore humanitare do të aterojë sot në Egjipt dhe i bëri thirrje Izraelit të mos vendosë asnjë kufizim në sasinë, destinacionin dhe kategoritë e artikujve që do t’u dërgohen njerëzve në nevojë.

“Nëse bashkojmë ngarkesat e fluturimeve nga e hëna dhe atë që do të shkojë sot, flasim për 54 apo 56 tonë, më tepër për furnizime esenciale humanitare. Këtu përfshihen gjërat higjienike, materialet sanitare, por edhe ushqimi, uji dhe gjëra për strehim”, ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Evropian, Balazs Ujvari.

Ai, gjithashtu, përshëndeti njoftimin e bërë nga Izraeli se nuk do t’i bllokojë dërgesat e artikujve thelbësorë humanitarë, por paralajmëroi se çdo kufizim në këto dërgesa nuk do të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare humanitare.

Më shumë se 1 milion palestinezë, afërsisht gjysma e popullsisë së Gazës, janë larguar nga shtëpitë në veri dhe në qytetin e Gazës pasi Izraeli u kërkoi atyre që të evakuoheshin.