Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër pas zhvillimeve lidhur me emërtimet e rrugëve, shesheve dhe urave në Tetovë, duke akuzuar koalicionin VLEN se po hesht përballë një procesi që, sipas tyre, cenon identitetin e qytetit.

Nga BDI vlerësojnë se arsyetimet e dhëna për të relativizuar vendimin për ndryshimin e emërtimeve janë të papranueshme dhe përfaqësojnë një përpjekje për të rikthyer simbolika të së kaluarës jugosllave në Tetovë.

“Dikush mund të ketë nostalgji për Josip Broz Titon dhe kjo është çështje bindjesh personale, por nostalgjitë e tilla nuk mund të imponohen në hapësirën publike përmes rikthimit të emërtimeve që qytetarët i kanë lënë pas prej vitesh”, thuhet në reagimin e partisë.

Sipas BDI-së, Tetova ka historinë, identitetin dhe figurat e saj kombëtare dhe nuk meriton të kthehet pas në kohë. Partia opozitare thekson se qyteti nuk do të pranojë rikthimin e simbolikës së Jugosllavisë dhe emërtimeve që nuk përfaqësojnë realitetin dhe identitetin e sotëm të qytetarëve.

Në reagimin e saj, BDI drejton një sërë pyetjesh publike ndaj kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, duke kërkuar sqarime për rolin e komunës dhe të përfaqësuesve të VLEN-it në procesin që përfundoi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Partia kërkon të dijë nëse Komuna e Tetovës është kontaktuar nga Gjykata Kushtetuese gjatë procedurës, cili ka qenë qëndrimi i saj, nëse ka pasur komunikime zyrtare ose jozyrtare me gjykatën, si dhe çfarë qëndrimi ka mbajtur Qeveria lidhur me emërtimet e miratuara në vitin 2007.

“Qytetarët meritojnë transparencë të plotë. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë kush heshti, kush u pajtua dhe kush kontribuoi që të vihet në shënjestër identiteti i Tetovës”, thekson BDI.

Nga partia porosisin se durimi i qytetarëve nuk duhet të keqinterpretohet si dobësi dhe se shqiptarët nuk do të pranojnë që të arriturat e tyre të cenohen në heshtje.

“Edhe durimi ka fund”, përfundon reagimi i BDI-së.

sqShqip