Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka akuzuar Qeverinë për moszbatim sistematik të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke thënë se një postim i fundit i një deputeti nga koalicioni VLEN ka zbuluar vetë shkeljet që, sipas tyre, ndodhin çdo ditë në institucionet shtetërore, shkruan gazeta KOHA.
Në reagimin e saj, BDI vlerëson se përpjekja e deputetit për të paraqitur si sukses publikimin dygjuhësor të dokumenteve në Gazetën Zyrtare, në fakt është shndërruar në “dëshmi publike” të mosrespektimit të ligjit nga vetë institucionet që drejtohen nga kjo shumicë.
“Postimi i djeshëm i deputetit të VLEN, i cili tentoi të paraqesë si sukses publikimin dygjuhësor të dokumenteve në Gazetën Zyrtare, përfundoi si dëshmi publike e moszbatimit të ligjit nga institucionet që ata vetë i drejtojnë. Pra, deputeti i VLEN-it, në përpjekje për t’u lavdëruar, në fakt promovoi zbatimin e një ligji që po e kontestojnë çdo ditë”.
Gazeta Zyrtare, siç thotë BDI, nuk vepron mbi bazë dëshire politike, por mbi obligim ligjor për publikim në dy gjuhë, sipas rendit juridik në fuqi.
BDI më tej nënvizon se përmes krahasimeve që deputeti i VLEN-it ka bërë me institucione të tjera, është pranuar publikisht se shumë prej tyre nuk e zbatojnë detyrimin për përdorimin e gjuhës shqipe.
“Kjo dëshmon se problemi nuk është interpretimi i ligjit, por moszbatimi i tij”, theksohet në reagim.
Partia opozitare kritikon gjithashtu Qeverinë dhe Presidenten, duke vlerësuar se ato nuk mund të fshihen pas, siç e quajnë, “propagandës së deputetëve”, pasi realiteti në terren, sipas tyre, dëshmon të kundërtën.
Sipas BDI-së, situata aktuale tregon se gjuha shqipe po largohet nga institucionet përmes një moszbatimi sistematik të ligjit, ndërsa kërkon respektim të plotë dhe të menjëhershëm të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga të gjitha institucionet shtetërore, pa përjashtim. (koha.mk)

