Kryeministri ende nuk ka kërkuar falje për akuzat e pabazuara dhe fyese që u bëri publikisht administratorëve shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie Ndëretnike, duke ofenduar jo vetëm ata, por edhe familjet e tyre, thonë nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
“Me deklaratat e tij, ai shpifi pa asnjë fakt, pa asnjë provë dhe pa asnjë përgjegjësi, ndaj gra dhe burra që fillimisht u poshtëruan me kushte çnjerëzore pune dhe më pas u shndërruan në objekt linçimi publik.
Në të njëjtën kohë, ministri përgjegjës Stoilkoviç ende nuk ka dhënë dorëheqje, ndonëse nën drejtimin e tij u krijuan kushte degraduese pune dhe u lejua një praktikë e papranueshme e mobingut institucional dhe diskriminimit etnik.
Mungesa e dorëheqjes dhe mungesa e faljes nuk janë rastësi. Ato janë dëshmi e një qeverisjeje që nuk njeh përgjegjësi politike dhe që e konsideron poshtërimin e punonjësve shqiptarë si çështje dytësore.
Ndërkohë, VLEN jetojnë në një univers paralel, të zhytur në debate për rotacione vjetore të lidershipit dhe pazare për rregullimin e karrikeve të tyre, sikur asgjë të mos ndodhë në institucionet e shtetit e ndërsa ata merren me “akuariumin” e rotacioneve, administratorët shqiptarë përjashtohen, nënçmohen dhe etiketohen në administratën shtetërore, pa mbrojtje, pa dinjitet dhe pa zë.
Kjo është politikë e qëllimshme e përjashtimit dhe frikësimit, e shoqëruar me arrogancë
BDI kërkon sërish dhe pa ekuivok: falje publike nga Kryeministri për shpifjet dhe ofendimin ndaj punonjësve dhe familjeve të tyre, dorëheqje të menjëhershme të ministrit përgjegjës dhe ndalje të menjëhershme të praktikave diskriminuese ndaj shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Çdo ditë pa përgjegjësi e zhyt edhe më thellë këtë qeveri në krizë morale dhe politike. Dinjiteti njerëzor nuk është temë për rotacion, por vijë e kuqe që nuk guxon të shkelet”, thuhet në reagimin e BDI-së.

sqShqip