May 3, 2024
Maqedoni

BDI nis takimet me bazën – në “Shënjestër” Gostivari?!

“GRUPI I ZJARRIT” NË MANASTIR

BDI-ja “zbarkon” në terren. Njoftimet nga kampi i integristëve thonë se nisin takimet me bazën, në përputhje me vendimin e Këshillit të Përgjithshëm partiak.

Në “shënjestër” të BDI-së është rajoni i Gostivarit. Takimet, ku pritet të marrin pjesë krerët më të lartë të partisë dhe liderin Ali Ahmeti, sic njofton KlanM, nisin të shtunën në Çegran, për të vazhduar për cdo ditë deri më 21 Janar me takime nëpër lokalitete dhe vendbanime të Gostivarit me rrethinë.

Por, duket se kjo “ofensivë” e BDI-së në Gostivar, nuk është pëlqyer nga Deputeti I Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli. Ai, sic njofton KlanM, përmes një postimi në Facebook, ia ka drejtuar një pyetje liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, nëse mund të identifikojë një projekt të realizuar në territorin e Komunës së Gostivarit dhe që ka rëndësi për qytetarët dhe shqiptarët e Gostivarit?

Përgjigjen e jep vet Deputeti Zendeli. “Qytetarët e Gostivarit për 20 vite qeverisje të BDI-së identifikojnë projekte si: varfëri, korrupsion, migrim ekstrem, boshatisje të hapësirave shqiptare, shantazhe ndaj qytetarëve, zhvatje parash, degradim të arsimit, shëndetësisë, kulturës dhe çdo gjëje që keni prekur ju”, shkruan në Facebook, deputeti i Lëvizjes Besa, Fadil Zendeli.

Nuk është vetëm Gostivari në “shënjestër” të BDI-së. Aktiv, sic njofton KlanM, kohëve të fundit janë edhe pjesëtarët e të ashtuquajturit “Grupi i Zjarrit” në BDI. Pas Studeniçanit, për të shtunën në mbrëma, është thirrur takimi me qytetarët në Manastir.

Sic thuhet, me qytetarët do të diskutohet situata aktuale politiko-ekonomike në vend, por me siguri edhe puna e Ministrave të BDI-së në ekzekutiv.

Kurse Ministrat e BDI-së, asgjë nuk I lënë rastit. Ministri I Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, përmes Facebookut ka njoftuar se me ftesë të Degës së Manastirit kishin pasur një bashkëbisedim shumë përmbajtësor me strukturat e partisë!

Nuk dihet nëse është i rastit apo paraprakisht I caktuar ky takim i Bekteshit me strukturat e partisë në Manastir, në vigjilje të takimit të thirrur nga “Grupi I Zjarrit” po në këtë qytet, por duket se ditëve në vijim, të dy palët, pritet t`i intensifikojnë takimet me bazën dhe qytetarët, që në qarqe të ndryshme politike interpretohet si “betejë” për të fituar epërsi në terrenin politik. /KlanMacedonia/