Konventa promovuese e koalicionit VLEN, e mbajtur mbrëmë në sallën “Boris Trajkovski” në Shkup, e dëshmoi qartë realitetin politik: qytetarët po se po, por edhe mbështetësit e dikurshëm i kanë braktisur, vlerëson BDI.

“Pavarësisht propagandës së shfrenuar dhe presioneve të paligjshme të pushtetit, salla mbeti me ulëse të zbrazura, ndërsa atmosfera e gjallë e vërtetë rrihte nëpër çarshitë shqiptare, nga Shkupi e Kumanova, në Gostivar, Tetovë, Kërçovë e deri në Strugë”, thuhet në njoftimin e Integristëve.

Në vazhdim BDI numëron disa akuza ndaj VLEN:

• Premtuan 2.500 punësime, qytetarët përfunduan me zero.
• Premtuan 10.000 euro për çdo qytetar, qytetarët përfunduan me zero.
• Premtuan Akademi të Shkencave shqiptare, e sollën Dodikun dhe donacionet serbe.
• Premtuan bankë shqiptare, e sollën bankën serbe.
• Premtuan ndryshime kushtetuese dhe integrim europian, e sollën “botën serbe”.
• Premtuan programe kombëtare, e sollën MTEL-in serb.
• Premtuan respektim të Marrëveshjes së Ohrit, e dorëzuan në duart e putinistit Ivan Stoilkoviq.

Konventa e vakët e VLEN-it është fotografia më e qartë e dështimit të tyre. Shqiptarët tashmë e kanë dhënë gjykimin e tyre: ata nuk u besojnë më, i kanë braktisur dhe i shohin ashtu siç janë – si degë e VMRO-së te shqiptarët.

“Më 19 tetor, qytetarët do ta vulosin me votë këtë verdikt: VLEN është mashtrim, është “frankenshtajni” politik i Mickoskit, ndërsa AKI mbetet adresa e vetme e shqiptarëve për përfaqësim të fuqishëm, dinjitoz dhe europian”, thuhet në fund të njoftimit të BDI-së.

sqShqip