REAGIM I DEGËS SË BDI NË GOSTIVAR
Bashkimi Demokratik për Integrim Dega Gostivar dënon ashpër shpifjet dhe përpjekjet për ta përfshirë emrin e subjektit tonë politik në një ngjarje kaq serioze, thuhet në reagim lidhur me informacionet e paraqitura se BDI ka gisht në helmimin e 1.200 qytetarëve të Gostivarit, si rrjedhojë e raporteve jo të mira me kryetarin e komunës Valbon Linani, i cili ishte kandidat i përbashkët në zgjedhjet lokale, transmeton Lideri.mk.
“Pretendimet e publikuara se BDI është e përfshirë në çfarëdo “operacioni” lidhur me ndotjen e ujit të pijshëm janë të pavërteta, të papërgjegjshme dhe paraqesin një manipulim të opinionit publik.
BDI Dega Gostivar nuk ka asnjë lidhje me këtë rast. Përkundrazi, shprehim shqetësimin tonë për situatën e krijuar dhe inkurajojmë organet kompetente që të zhvillojnë një hetim të plotë, profesional dhe të paanshëm, në mënyrë që të zbardhen sa më parë shkaqet e ndotjes dhe të identifikohen përgjegjësit.
U bëjmë thirrje autorëve të këtyre pretendimeve që të ndalojnë përhapjen e dezinformatave dhe, nëse disponojnë prova për akuzat e tyre, t’ua dorëzojnë institucioneve kompetente. Në të kundërtën, mbajnë përgjegjësi të plotë morale dhe ligjore për shpifjet dhe dezinformimin e opinionit publik. Të njejtit do të përballen me padi për shpifje kaq të rëndë”, thuhet në reagimin e Bashkimit Demokratik për Integrim Dega Gostivar./Lideri.mk

