VLEN reagon ndaj BDI-së: Shpifjet tuaja nuk mund të mbulojnë nepotizmin 20-vjeçar

Partia VLEN ka reaguar ashpër ndaj kritikave të fundit të BDI-së lidhur me punësimet e shqiptarëve në institucionet e shtetit. Në një komunikatë për media, VLEN thekson se partitë e shpallura Non Grata nga faktori ndërkombëtar po përpiqen të mbulojnë dështimet e tyre gjatë mbi dy dekadave qeverisje.

“Opinioni e di shumë mirë se për 20 vjet, ata u kujdesën vetëm për rehatimin e familjarëve të tyre, në vende pune ku paga mujore është shumëfish më e lartë se ajo mesatare në vend,” thuhet në reagimin e VLEN-it.

Partia shton se, në vend që të japin llogari pse shqiptarët mbetën pa përfaqësim real dhe pa punë në pozita administrative, funksionarët e BDI-së zgjedhin të shpifin.

“Ata që dalin në konferenca për media, i porosisim të pyesin shefin e tyre, Bujar Osmani, pse po i gënjen ata! Le ta pyesin ku është e punësuar bashkëshortja e tij, e cila merr mbi 100 mijë denarë në muaj – sa katër administratorë të tjerë që BDI i ka gënjyer për dy dekada,” tha VLEN.

Reagimi gjithashtu përmend motrën e Osmani-t: “Shqiptarët e dinë mirë se në M-NAV, motra e tij merr mbi 3 mijë euro në muaj, sa gjashtë paga të një administratori tjetër.”

VLEN paralajmëron se ditëve në vijim do të publikojë të dhëna të detajuara mbi nepotizmin dhe punësimet e familjarëve të BDI-së gjatë 20 viteve, “por këtë herë me emra dhe mbiemra”.

Gjithashtu, partia njofton se do të iniciojë procedura ligjore për shpifje në rast se BDI nuk kërkon falje publike.

Paraprakisht Bashkimi Demokratik për Integrim në konferencën e sotme për shtyp reagoi ashpër ndaj deklaratave të Izet Mexhitit dhëna gjatë një vizite te një familje në Gazi Babë.

“Izet Mexhiti mbrëmë edhe një herë tregoi se për të gënjeshtrat dhe manipulimet nuk kanë kufij” deklaroi Reshat Ahmeti në konferencën për shtyp të BDI-së. “Ai pretendoi se për një vit qeverisje të VLEN janë punësuar dyfish më shumë shqiptarë sesa gjatë gjithë periudhës së qeverisjes së BDI-së. Një gënjeshtër e tillë meriton të shënohet në Librin e Rekordeve Guinness.”

Ahmeti theksoi se e vërteta është krejt ndryshe dhe se kur Mexhiti flet për punësime, ai ka parasysh vetëm të afërmit dhe njerëzit më të ngushtë të tij. “Ndërkohë që mijëra qytetarë të Çairit dhe Shkupit prej vitesh presin për një mundësi të ndershme, klani i tij mbledh nga dy apo më shumë paga” tha Ahmeti.

Ai e sfidoi Mexhitin publikisht të tregojë vetëm dy emra të qytetarëve nga Çairi që janë punësuar gjatë vitit të kaluar dhe që nuk janë as familjarë të tij e as miq të afërt. “Vetëm dy emra, asgjë më shumë” nënvizoi Ahmeti.

Ahmeti rikujtoi edhe një listë me dhjetëra emra të lidhur me nepotizmin e Mexhitit, nga kushëriri i tij Burim Latifi, drejtor i MEPSO-s, e deri te çifti Imeri, të cilët siç tha ai janë vetëm një pjesë e rrjetit të njerëzve të afërt që Mexhiti i punëson dhe i avancon.

“Kjo listë është vetëm një pjesë e vogël e asaj që qytetarët e Çairit dhe Shkupit e dinë shumë mirë, se për Izet Mexhitin politika gjithmonë ka qenë mjet për të sistemuar familjen dhe miqtë e jo për t’u shërbyer qytetarëve. Çairi nuk është pronë private, as firmë familjare. Mjaft me gënjeshtra dhe mashtrime, është koha që Izet Mexhiti të dalë para qytetarëve me fakte e jo me manipulime.”, theksoi Ahmeti.

sqShqip