Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar me shqetësim të thellë lidhur me paralajmërimet për riorganizimin e strukturës drejtuese në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), duke paralajmëruar për pasoja serioze në përfaqësimin e drejtë dhe balancën ndëretnike.

Në reagimin e saj, BDI thekson se plani për reduktimin e mbi një të tretës së pozitave udhëheqëse në këtë institucion kyç të sigurisë nuk mund të trajtohet thjesht si çështje organizative, pasi ndikon drejtpërdrejt në strukturën përfaqësuese dhe stabilitetin institucional.

Sipas kësaj partie, deklarimet se pozitat duhet të bazohen vetëm në kritere profesionale, duke anashkaluar përkatësinë etnike, bien ndesh me parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, i cili konsiderohet themelor për funksionimin e shtetit dhe ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucionet e sigurisë.

“Ky parim nuk është kompromis politik, por standard kushtetues dhe element kyç për stabilitetin institucional”, thuhet në reagim.
BDI paralajmëron se në rrethanat aktuale, kur një pjesë e konsiderueshme e këtyre pozitave mbahen nga përfaqësues shqiptarë, shfuqizimi i tyre pa mekanizma të qartë për garantimin e përfaqësimit mund të çojë në prishjen e balancës së ndërtuar ndër vite.

Partia opozitare kërkon transparencë të plotë nga institucionet përgjegjëse për procesin e sistematizimit, duke përfshirë kriteret e përzgjedhjes dhe mënyrën konkrete se si do të ruhet përfaqësimi i drejtë në strukturat drejtuese të MPB-së.

“Deklaratat e përgjithshme për mosshqetësim nuk janë të mjaftueshme. Kërkohet qartësi dhe garanci konkrete”, theksohet më tej.

Në fund, BDI vlerëson se çdo reformë në sektorin e sigurisë duhet të balancojë profesionalizmin me ruajtjen e përfaqësimit ndëretnik dhe besimit institucional, duke paralajmëruar se çdo devijim nga këto parime mund të ketë pasoja afatgjata për funksionimin demokratik dhe kohezionin shoqëror në vend.

sqShqip