May 16, 2024
Maqedoni

Banorët e Shkupit në hall me mushkonjat

Bashkë me temperaturat e larta janë shtuar edhe mushkonjat dhe insektet tjera të ngjashme. Ata që kryesisht vuajnë nga mushkonjat janë qytetarët që banojnë pranë lumenjve. Banorët e fshatrave të Shkupit ankohen se mushkonja ka shumë dhe se nuk po i lënë të flenë gjatë natës. Ata thonë se autoritetet nuk kanë ndërmarrë asnjë hap deri tani.

“Ne që jemi rreth Treskës, ka aq shumë mushkonja sa nuk po flemë dot gjatë natës. Na kanë rrjepur, sidomos fëmijët. Matka, Shishova, Gllumova, Gërçeci.Duhet të ankohemi, duhet të vijë avioni që t’i spërkasë. S’ka kaluar asnjë avion. Nuk ka kush qahet tek ne. Kanë vdekur ata që ankoheshin”

“Po, ka shumë. Unë jetoj në Saraj, Lubin. Zakonisht spërkasin në mëngjes, por këtë vit nuk kam parë të spërkasin”

“Të ju them të drejtën, kemi. Për Lubin, fshati andej, pranë Vardarit. Nuk kam dëgjuar të kenë spërkatur”

Nga Qyteti i Shkupit thonë se me spërkatjet kanë filluar që në mars dhe deri tani janë realizuar 5 nga 8 të tilla sa parashikohen deri në shtator.

Deri tani janë bërë faza të spërkatjes për mushkonja të vogla dhe larva, ndërsa dy faza për mushkonja të rritura. Domethënë na kanë mbetur edhe tre faza deri në fillim të shtatorit. Më shumë përqendrohemi në vende ku ka më shumë lagështi dhe ku ka këneta, pasi aty janë kushtet më adekuate për t’u shumuar mushkonjat. Sidomos në pjesën e Sarajit ku kemi edhe Liqenin e Treskës. Po, kemi spërkatur atje edhe atë tre herë”, tha Valon Saliu, Qyteti i Shkupit.

Qyteti i Shkupit spërkatjen kundër mushkonjave e realizon nga toka dhe nga ajri.