Banorët e Debreshit të Komunës së Gostivarit kanë reaguar ashpër sot ndaj deklaratës së Arben Taravarit, në të cilën një pjesë të tyre i quajti përdorues të lëndëve narkotik dhe të nxitur politikisht. Ata kërkojnë nga Taravari që të kërkoj falje publike, ose në të kundërtën paralajmërojnë padi ndaj tij.

“Drogaxhi Debreshi nuk ka. Ka trima, ka sportistë, biznesmenë dhe mjekë. Nuk duhet të hyjnë në lojëra me Debreshin sepse këtu nuk ka drogaxhi po ka burra dhe ne do dalim dhe do e tregojmë trimërinë tonë para Taravarit”, deklaroi një banor i Debreshit.

“Nga krejt dhimbja që patëm ne dolëm në protesta para komunës, por jo të marr kahe politike, ndërsa mbrëmë ne dëgjojmë nga Taravari se mes nesh ka pas narkomanë por aty ka qenë këshilli i xhamive dhe imami i nderuar Islam Nuredimi, por se di kryetari partisë tyre si na ka pa. Nëse ai nuk del të kërkoj falje publike, ne do organizohemi me protestat sërish për ujin ndërsa ndaj tij do bëjmë padi”, tha një banor.

Banorët ankohen se politikanët, që sot i ofendojnë, dhe udhëheqësia e komunës, vetëm kanë premtuar, ndërsa për dy dekada, fshati vazhdon nëpër çezma të ketë premtime dhe jo ujë për pije.

“Ujë ka plot, por, neglizhenca vjen nga ndërmarrja publike. Nuk vjen një herë për 12 vite që kemi sjell ujin, që të del të sheh ku janë zënë pesetat, janë thyer dyert dhe uji del jashtë”, deklaroi një banor i Debreshit.

“Prej fillimeve të politikës në Gostivar, kanë ardhur në emër të ujit kanë marr vota kanë premtuar do sjellim ujë, dhe e dini çka na sollën, 20 fabrika që na marrin ujin tonë gjoja se paguajnë ato fabrika”, tha një banor i Debreshit.

U drejtuam edhe në komunën e Gostivarit, ku në vend që të sqarohet se përse nuk është bë deri më tani, morëm edhe një premtim nga kreu i komunës.

“Sipas ekipeve që punojnë në këtë problematik, do sanohet problemi me mungesën e ujit jo vetëm në Debresh por edhe në vendet tjera, sipas ekipeve, punimet do përfundojnë deri kah 10 apo 15 korriku”, u shpreh Valbon Limani, Kryetar i Komunës së Gostivarit.

Ditë më parë, gjatë tentimit për të punuar në bjeshkë për të siguruar më tepër ujë, jetën ka humbur një banor i Debreshit, ish punëtor i NPK së Gostivarit./Alsat.mk

sqShqip