Emigrimi masiv i popullatës në fshatrat e kësaj komune po lë pasoja të mëdha edhe në numrin e nxënësve. Benazi Shemoska, drejtoresha e Shkollës Fillore “Mustafa Kemal Ataturk”, ku mësimi realizohet në tri gjuhë, turqisht, shqip dhe maqedonisht, thotë se emigrimi ka ulur numrin e nxënësve
Vjollca SADIKU
Dibër, 2 shtator – Në vitin e ri shkollor, në Shkollën Fillore të Komunës rurale Qendër Zhupë, në klasën e parë nuk është regjistruar asnjë nxënës në paralelen në gjuhën shqipe. Emigrimi masiv i popullatës në fshatrat e kësaj komune po lë pasoja të mëdha edhe në numrin e nxënësve. Benazi Shemoska, drejtoresha e Shkollës Fillore “Mustafa Kemal Ataturk”, ku mësimi realizohet në tri gjuhë, turqisht, shqip dhe maqedonisht, thotë se emigrimi ka ulur numrin e nxënësve, shkruan gazeta KOHA.
Fshati Ballancë, me shumicë shqiptare, nga viti në vit po zbrazet. Arsimtarja në shkollën qendrore “Mustafa Kemal Ataturk”, Arta Papraniku, për gazetën KOHA sqaron situatën e emigrimit, si dhe pasojat në arsimimin në gjuhën shqipe.
“Fshati Ballancë, i vetmi fshat me shumicë shqiptare në Komunën Qendër Zhupë, gjatë viteve të fundit ka pësuar një rënie të ndjeshme të numrit të banorëve, kryesisht si pasojë e emigrimit. Në vitin 2002, Ballanca numëronte 432 banorë, ndërsa në vitin 2021 vetëm 165 banorë rezidentë. Sot, në vitin 2026, numri i banorëve që jetojnë në fshat vlerësohet të ketë rënë edhe më tej, në rreth 100-120 banorë. Megjithatë, kjo nuk është një sfidë vetëm e Ballancës. Me të njëjtën rënie demografike dhe emigrim të vazhdueshëm po përballet e gjithë Komuna e Qendër Zhupës, ku numri i banorëve, familjeve të reja dhe fëmijëve po zvogëlohet nga viti në vit. Pasojat shihen qartë edhe në shkollë: në vitin shkollor 2026/2027, nga Ballanca nuk ka asnjë nxënës të regjistruar në klasën e parë në SHFK ‘Mustafa Kemal Ataturk’ – Qendër Zhupë. Ballanca vazhdon ta ruajë identitetin dhe karakterin e saj shqiptar, por mungesa e një nxënësi të vetëm në klasën e parë në vitin 2026 është ndoshta dëshmia më e fortë se emigrimi tashmë nuk po zbraz vetëm shtëpitë e Ballancës, por po prek edhe vazhdimësinë e brezave të saj”, thotë ajo.
Drejtoresha e shkollës, Benazi Shemoska, thotë se këtë vit janë regjistruar vetëm 13 filloristë, prej të cilëve 12 në gjuhën turke, një në gjuhën maqedonase dhe asnjë në gjuhën shqipe. (koha.mk)

