Bajrami: Me ligjin e ri mbështesim mediat e shtypura
Qeveria në seancën e djeshme ka përcaktuar tekstin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për media dhe e ka dërguar në Kuvend për miratim. Ndër objektivat kryesore të ndryshimeve është mbështetja e gazetave kombëtare. Qeveria deri më tani ka përkrahur median e shkruar përmes miratimit të Programit për mbështetjen e shtypit dhe shpërndarjes së mediumeve të shkruara, por me ligjin e propozuar kjo çështje do të rregullohet me zgjidhje sistematike, si pjesë e Ligjit për media, transmeton Portalb.mk.
Bëhet fjalë për gazetat kombëtare të cilat, siç thotë qeveria, “kanë probleme serioze me harxhimet e larta të shtypjes dhe shpërndarjes, si pasojë e çmimit të lartë të letrës dhe rritjes së çmimit të karburantit, duke pasur parasysh që media luan një rol të madh në zhvillimin e kapaciteteve demokratike të shtetit, avancimin e ekonomisë, zhvillimin e normave dhe standardeve etike të gazetarisë, kontributin në hapjen e debateve për çështje me interes publik”.
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike, Naim Bajrami, ka shkruar se me propozim të Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut përcaktoi tekstin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për media.
“Ndër objektivat kryesore të ndryshimeve është mbështetja e gazetave kombëtare që kanë probleme me kostot e larta të shtypjes dhe shpërndarjes, si pasojë e çmimit të lartë të letrës dhe duke pasur parasysh që media luan një rol të madh në zhvillimin e kapaciteteve demokratike të shtetit, avancimi i ekonomisë, zhvillimi i normave dhe standardeve etike të gazetarisë, kontributi në hapjen e debateve për çështje me interes publik. Ndryshimet rregullojnë: ndihmën e njëhershme financiare, të cilën media e shkruar do ta merrte nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, mënyrën e publikimit të thirrjes publike për median e shkruar, si dhe shumën në përqindje që do të mbulojë Qeveria në pjesën e shpenzimeve për shtypjen dhe shpërndarjen e gazetave; e drejta për të marrë pjesë dhe kushtet që duhet të plotësojë media e shkruar; dhe është paraparë themelimi i Komisionit kompetent për të vendosur për kërkesat e parashtruara”, ka shkruar Bajrami.
Ai ka shtuar se Qeveria edhe deri më tani ka mbështetur median e shkruar përmes miratimit të Programit për mbështetjen e shtypjes dhe shpërndarjes së medias së shkruar. Megjithatë, me tekstin e përcaktuar sot, të Propozim ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për media, kjo çështje propozohet të rregullohet përmes një zgjidhjeje sistematike, si pjesë e Ligjit për media.
Shteti filloi të subvencionojë një pjesë të harxhimeve të shtypjes dhe shpërndarjes së gazetave në vitin 2018, kur shpërndau rreth 700 mijë euro. Për shkak të pandemisë Covid dhe krizës së shkaktuar nga lufta në Ukrainë, sasia u ul nga viti në vit. Vitin e kaluar 11 media të shkruara kanë marrë subvencione në vlerë prej 324 mijë euro.
Kujtojmë se dje presidenti i RMV-së, Stevo Pendarovski e ka nënshkruar dekretin për shpalljen e Ligjit për Ndryshim dhe Plotësim të Ligjit për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale. Me këtë, pas shpalljes në Gazetën Zyrtare, hyjnë në fuqi ndryshimet ligjore të cilat do t’i rikthejnë fushatat shtetërore me para nga buxheti në mediat private.
Presidenti Pendarovski nënvizon se në Ligj qartë është definuar se çfarë paraqet fushatë shtetërore me interes publik, në nivel shtetëror ose lokal.