Shefi i shtabit qendror të VLEN, Adnan Azizi, në një prononcim për TV Koha, ka folur hapur për zhvillimet politike në Kërçovë, duke iu referuar drejtpërdrejt skandalit të përgjimeve të publikuara nga El Cheka, që përfshijnë kandidatin e opozitës, Fatmir Deharin.
Azizi theksoi se shtabi qendror i VLEN-it ka marrë një vendim parimor për të respektuar autonominë e strukturave lokale në marrjen e vendimeve politike pas shpalljes së rezultateve zgjedhore.
“Ne kemi pasur një vendim parimor në shtabin e VLEN-it, të cilin ua kemi kumtuar strukturave tona. Pavarësisht se çfarë ndodh, janë strukturat lokale që duhet ta lexojnë, ta vlerësojnë dhe të marrin vendime konform rezultateve që ndodhin nëpër komuna – jo shtabi qendror, jo strukturat partiake.”
Duke komentuar situatën në Kërçovë, ai tha se Fatmir Limani dhe strukturat lokale janë plotësisht të vetëdijshme për rrethanat politike dhe morale të krijuara pas publikimit të përgjimeve.
“Pas asaj që ndodhi me përgjimet e kandidatit opozitar, është krijuar një situatë vërtetë e ndërlikuar. Ti mund të dalësh me një qëndrim, por nuk mund t’i detyrosh nënat dhe gratë që të dalin të përkrahin një strukturë të atillë. Ne i bëmë ftesë BDI-së dhe Ali Ahmetit që ta tërheqë kandidaturën e Fatmir Deharit, për t’i paraprirë kësaj situate, sepse njëri nga kandidatët – ose Fatmir Limani ose Shkodrani – duhej të shkonte në raundin e dytë.”
Azizi theksoi se në politikë duhet të ketë edhe moral dhe dinjitet, duke deklaruar se VLEN nuk mund të qëndrojë pas kandidaturave që përfshihen në skandale të tilla.
“Nuk mund tash ne të gjitha turpet, tradhtitë, sharjen e figurave kombëtare, fetare, njerëzve, përdhosjen e dinjitetit ta mbulojmë me vello kombëtare. Ne mbështesim çdo vendim që merr struktura lokale e VLEN-it në Kërçovë dhe do të qëndrojmë pas atij vendimi.”
Ky qëndrim, sipas analistëve, e pozicionon VLEN-in si forcë që kërkon të rikthejë moralin politik dhe përgjegjësinë publike, duke refuzuar logjikën e “mbylljes së turpeve” për interesa elektorale.

sqShqip