“Shumë shpejt do të bëhet tenderimi për projektimin e tunelit Tetovë – Prizren”, tha deputeti i VLEN-it Adnan Azizi, në një paraqitje në TV21 duke folur për projektet infrastrukturore në zonat ku jetojnë shqiptarët.
Azizi tha se Komuna e Tetovës ka ndarë 18 milionë denarë për segmentin Shipkovicë – Bozovcë, ndërsa tha se është duke u punuar për segmentin që do të vijë deri para tunelit.
“Komuna e Tetovës ka ndarë mjete konkrete në këshillin 18 milionë denarë për segmentin Shipkovicë – Bozovcës dhe është duke u punuar për segmentin i cili do të vijë para tunelit. Atë që e ka thënë edhe kryetari edhe ne, ju jeni dëshmitarë që ne e bëjmë realitet. shumë shpejt do të bëhet tenderimi për projektimin e tunelit dhe do të nisin hapat për realizimin e tij”, tha Azizi.
Azizi: VLEN-i është projekti më i madh kombëtar për artikulimin e zërit të shqiptarëve në Maqedoni
“VLEN-i është projekti më i madh kombëtar për artikulimin e zërit të shqiptarëve në Maqedoni”, tha deputeti Adnan Azizi, në një paraqitje në TV21, duke folur për shkrirjen e VLEN-it në një parti.
Ai theksoi se për herë të parë ka ndodhur bashkimi i gjashtë subjekteve politike në një. Ai gjithashtu tregoi se kujt do t’i takojnë pozitat e nënkryetarëve dhe sekretarit gjeneral.
“Kam qenë optimisti më i madh se VLEN-i do të bëhet dhe BDI-në do ta çojë në opozitë, se do të jetë projekt i madh kombëtar për ta artikuluar zërin e shqiptarëve. Për herë të parë kemi bashkim të gjashtë subjekteve politike, të 4 partive dhe 2 lëvizjeve. Është mund i madh dhe strategji e shpirtmadhësi e prijësve të kësaj ideje, që shqiptarët t’i bëjmë bashkë dhe të flasin me një zë. VLEN-i do të bëhet një subjekt, kemi dakordim edhe për lidershipin, për kryesinë, kuvendin.
“Do të ketë sekretar gjeneral dhe dy nënkryetar, të cilat u takojnë subjekteve tjera që janë pjesë e VLEN-it. Sipas dakordësisë fillestare sekretar gjeneral do të jetë Bekim Sali, ndërsa nënkryetarët do t’u takojnë ASh-së dhe Vetëvendosjes”, theksoi Azizi.

