Avokati dhe ish-politikani Azem Vllasi ka ofruar sqarime dhe qëndrime të forta mbi çështje me rëndësi politike dhe historike, siç ishte rasti i vrasjes së veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Jusuf Gërvalla.
Vllasi tregon se për vrasjen e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës, dyshimi i parë shkonte te shërbimet jugosllave, pasi të njëjtat atëbotë e kishin bërë praktikë që të vrisnin veprimtarët në emigracion.
“Unë, mjerisht, s’kam njohuri në detaje. Në vitin ’82, kur u vra Jusuf Gërvalla, dihej se ishte patriot, njeri i përkushtuar i çështjes kombëtare, por për mënyrën e veprimit që e kishte zgjedhur, ishte e pamundur të vepronte këtu, prandaj kishte shkuar jashtë. Dyshimi i parë ishte se shërbimet jugosllave e kishin vrarë, sepse vrisnin njerëz në emigracion të Kroacisë, çetnikë. Jusufi ishte i njohur si veprimtar për çështjen kombëtare jashtë.
Por Jusuf Gërvalla nuk predikonte që të ndërmerrej ndonjë akt i dhunshëm kundër shtetit, por që të ndërmerrej ndonjë veprimtari ndryshe. Asgjë s’më ka rënë të dëgjoj diçka më detajisht, por shërbimi jugosllav i atëhershëm ka pasur njerëz në shënjestër për t’i gjetur”, shprehet Vllasi.
Madje, ai thotë se shërbimi i punëve të brendshme i Kosovës nuk kishte gisht në këtë rast, pasi vendimet merreshin në nivel federal.
Po ashtu, Vllasi thekson se ekzekutor i vrasjeve në emigracion ishte krimineli Arkan.
“Por ato kanë vendosur dy-tri njerëz në nivel federal dhe nuk bën të hyhet në gjynah shërbimi i punëve të brendshme të Kosovës apo për raste të tjera të republikave tjera, siç ka pyetur kush. Ka qenë lart për sigurim shtetëror një Stane Dollanc. Thuhet se si ekzekutor i atyre planeve, kur është dashur të vritet dikush nga emigracioni, ka qenë Arkani; Arkani ka qenë njeri i UDB-së”, ka përfunduar Vllasi.
Video e deklaratës së Vllasit:

