May 1, 2024
Kosovë

Avokatja kosovare na përshëndet nga bjeshkët e bukura në kufirin Kosovë-Maqedoni (Video)

Xhezide Selimi është avokate, poete por edhe aktiviste rinore nga Kosova.
Me aktivitetin e saj në sheshet e katër qyteteve, krijuesja ka vendosur minibiblioteka publike duke përdorur kabinat e papërdorura telefonike.

E filloi me Vitinë, për të vazhduar me Ferziajn. E tash, iniciativa vullnetare e juristes dhe poetes Xhezide Selimit, ashtu edhe si premtoi, u shtri edhe në Gjilan e Mitrovicë.

“Gjithmonë duhet me ekzistu iniciativa për punë të mira, e çka ndodhë tutje dhe si vazhdon kjo nuk na mbetet neve me gjyku qysh në fillim se duhet me fillu një inciativë për me pa se qysh po shkon tutjenë Viti. E kam pa se nuk ka ndonjë funksion, vetëm aty po qëndron dhe ideja ke me mbushë me libra”, thotë ajo.

Tërë këtë punë Xhezidja e bën në mënyrë vullnetare, ndërsa nga komuniteti I duhen librat për t’I mbushur bibliotekat. Në një intervistë të mëhershme për Katror.info, Xhezidja pat thënë se nuk do të lerë asnjë qytet të Kosovës pa minibilioteka.

Fatmirësisht ideja e saj po gjen përkrahje, së pari nga komunat përkatëse meqë duhet lejuar përdorimin e tokës publike, e më pas nga artdashësit që dhurojnë libra falas për minibilotekat.

Para disa ditësh Xhezidja hapi minibliotekën në qendër të qytetit të Mitrovicës, në të gjenden dhjetëra libra të ndryshëm, në gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze.

Minibiblioteka mban emrin e mësueses mitrovicase Melihate Deva, mësuesja e cila është ikonë e shkollës dhe e arsimit shqip në Kosovë e më gjerë.

Në vazhdim ju sjellim edhe një poezi të daj që i përshtatet fotografive të fundit që ka publikuar ne Facebook, duke sjellur natyrën e bjeshkëve rreth fshatit Debëlldeh të Vitisë, në kufirin Kosovë-Maqedoni e Veriut.

Me aromë pranvere

Nën malin e mbështjellë
me ngjyra të mbyllura
prej brendisë sime gufon bardhësia

Për një fije drite kapem
në amullinë që ka rrëmbyer tokën

Në çast
ca rreze vezullojnë mbi gjoksin e mbuluar
me këmishë të re
për ta lehtësuar frymëmarjen time të rënduar

Thumbat e rrypit
plasariten me të qeshura ironike
unë numëroj pikat e shiut të munguar

Lumin e mendimeve të ngjyrosura e krijoj
nga ylberi në prag të reve

Dalldisem me aromë pranvere
e nxitoj të prek ngjyrën e dashurisë së qiellit
rrezatuar nga dielli i fatit tim.