Përdorimi i avionit qeveritar gjatë periudhës së fundit ka nxjerrë në pah dallime në numrin e udhëtimeve nga zyrtarët shtetërorë. Sipas të dhënave të publikuara nga Telma, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka udhëtuar 7 herë me avionin qeveritar. Ndërsa në tre itinerare është shoqëruar edhe nga bashkëshortja. Telma përmend edhe një shembull të fluturimit Shkup–Jeddah në Arabinë Saudite, ku si shfrytëzues është shënuar “Kryetar i Kuvendit”, por në listë mungojnë të dhënat për pasagjerët, një boshllëk i ndjeshëm duke pasur parasysh se bëhet fjalë për avion shtetëror dhe para publike, e jo për transport privat.
Nga ministrat, avionin e ka përdorur më së shumti zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikoloski, i cili është evidentuar si shfrytëzues 11 herë, duke fluturuar më shpesh pikërisht drejt Budapestit. Në dokumente evidentohet edhe një rast kur më 12 janar avioni është dërguar për servis në Nuremberg, e më pas nga aty është nisur drejt Budapestit për ta marrë Nikoloskin dhe për t’u kthyer në Shkup, detaje që hapin pyetje për racionalitetin dhe arsyetimin e këtyre itinerareve kur kostoja bie drejtpërdrejt mbi mjetet publike.
Në të njëjtën dokumentacion përmenden edhe destinacione të tjera të Nikoloskit, ndër to Londra, Praga dhe Vjena, si dhe një fluturim Shkup–Stamboll dhe kthim, por me ulje në Ohër para rikthimit në kryeqytet. Sipas publikimit, pjesë e delegacionit për në Londër ka qenë edhe ish-zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Vladimir Peshevski, gjë që rihap temën se cilat kritere përcaktojnë përbërjen e delegacioneve dhe si mund ta verifikojë publiku arsyetimin e udhëtimeve kur të dhënat nuk janë gjithmonë të plota apo të shpjeguara në detaje.
Më shumë se Nikoloski, avionin e ka përdorur vetëm presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, me 13 fluturime. Ajo ka udhëtuar edhe në rajon – Tivat, Podgoricë dhe Tiranë – por edhe në Romë, Stamboll dhe Kopenhagë. Kur shifrat mblidhen, krijohet një pasqyrë e përdorimit intensiv të një resursi që formalisht është shtetëror, por në thelb buxhetor, çka e bën transparencën jo çështje vullneti të mirë, por interes publik.
Ndërsa, Kryeministri Hristijan Mickoski e ka përdorur avionin qeveritar tri herë: një herë për në Budapest, një herë për në Tiranë dhe më 10 gusht për në Split, në periudhën kur, siç shkruan Telma, mediat raportuan se do të kalonte disa ditë pushimi në Kroaci. Në dokumentacion përmendet edhe një fluturim Shkup–Beograd për të cilin nuk ka të dhëna të plota, me rubrikë të zbrazët për pasagjerët edhe pse si shfrytëzues është shënuar “Kryetar i Qeverisë”, një tjetër sinjal se sistemi i evidencës, të paktën në pjesën që bëhet publike, nuk siguron minimumin standard të verifikueshmërisë.
Avionin qeveritar e ka përdorur edhe ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, me fluturime drejt Roterdamit, Beogradit dhe Strasburgut, si dhe një rast ku përmendet Praga, por me organizim të lidhur me një ministri tjetër resore. Sipas të publikuarës, figurojnë edhe ministrja e Energjetikës, Sanja Bozhinovska me dy fluturime, ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski me një fluturim për në Budapest me edhe katër pasagjerë të tjerë, si dhe ministrja e Arsimit, Vesna Janevska dhe ish-ministri i Mjedisit, Izet Mexhiti, të cilët kanë udhëtuar për në Londër.

