Guvernatori i prefekturës Akita në Japoni, një rajon malor në veriun e vendit, ka kërkuar ndihmën e ushtrisë për të mbrojtur banorët nga një valë e paprecedentë sulmesh nga arinjtë.

“Lodhja në rajonin tonë ka arritur kufijtë e saj,” shkroi dje në Instagram guvernatori Kenta Suzuki. Ai tha se planifikon të vizitojë personalisht Ministrinë e Mbrojtjes për t’i kërkuar ndihmë në eliminimin e arinjve.

Një përfaqësuese e ministrisë deklaroi se nuk kishte dijeni për ndonjë vizitë të tillë të planifikuar.

Thirrja e Suzukit erdhi pas një sulmi ariu në Akita të premten, gjatë të cilit një person humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën, në një vit që ka shënuar rekord historik sulmesh në mbarë vendin.

Autoritetet lokale në Akita njoftuan se 54 persona janë vrarë ose plagosur këtë vit nga sulmet e arinjve, krahasuar me vetëm 11 një vit më pare, ndërsa shfaqjet e arinjve janë gjashtëfishuar, duke kaluar 8.000 incidente.

Rritja e numrit të arinjve, së bashku me zvogëlimin e popullsisë rurale, ka çuar në përplasje gjithnjë e më të shpeshta midis njerëzve dhe këtyre kafshëve.

Shumë incidente kanë ndodhur në qytete dhe fshatra, ku arinjtë kërkojnë ushqim, ndonjëherë duke hyrë në shtëpi dhe, të paktën në dy raste, në supermarkete.

Popullsia në plakje e Japonisë do të thotë se ka gjithnjë e më pak gjuetarë me aftësinë për të gjurmuar arinjtë, të cilët tashmë kanë më pak frikë nga njerëzit se dikur.

Ariu i zi japonez, i cili gjendet në pjesën më të madhe të vendit, mund të peshojë deri në 140 kilogramë, ndërsa ariu kafe i ishullit verior Hokkaido arrin deri në 400 kilogramë.

Autoritetet e Akitës kanë filluar të “shpërndajnë sprej kundër arinjve përgjatë rrugëve që çojnë në shkolla për të garantuar sigurinë e nxënësve”, shkroi Suzuki në postimin e tij.

sqShqip