Bursa “Boris Trajkovski”, me vlerë rreth 15 mijë euro, financohet gjysmë nga shteti dhe gjysmë nga “City College” në Selanik, dhe është një ndër mbështetjet më elitare për studentët e dalluar në vend. Por ky vit shënon një mungesë të plotë të studentëve shqiptarë në përzgjedhje, duke hapur nevojën për shpjegim institucional
Anëmsha SHABANI
Shkup, 26 nëntor – Asnjë student shqiptar nuk është përfshirë në listën e njëzet fituesve të bursës prestigjioze “Boris Trajkovski”, e ndarë nga presidentja Gordana Siljanovska-Davkova. Rezultati ka hapur debat dhe dyshime për mungesë të përfaqësimit dhe transparencës në një proces që zyrtarisht promovon meritokracinë, por praktikisht lë jashtë një kategori të tërë studentësh. Për ironi, në fjalimin e saj gjatë ndarjes së bursave, presidentja Siljanovska foli pikërisht për padrejtësinë, mungesën e mundësive dhe privilegjet që i largojnë të rinjtë më të talentuar nga vendi. Ajo theksoi se vendi po humb potencial të çmuar, sepse të rinjve nuk u ofrohen hapësirat e nevojshme për të avancuar në mënyrë të drejtë dhe transparente, shkruan gazeta KOHA.
“Njëra prej arsyeve kryesore për migrimin e të rinjve më të talentuar është nevoja e tyre për të avancuar jo në bazë të lidhjeve dhe privilegjeve, por vetëm në bazë të njohurive të fituara dhe cilësive që ata posedojnë. Të dashur studentë, jeni pjesë e një grupi të vogël të rinjsh që ne nuk guxojmë t’i humbim”, tha presidentja.
Ndërsa Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e paraqiti bursën si nxitje për kontribut institucional, duke u bërë thirrje fituesve që të mos harrojnë origjinën e tyre në momentin e suksesit profesional. “Është një inkurajim për të vazhduar të ecni përpara me guxim, për të eksploruar, për të krijuar, për të mësuar dhe për të kaluar kufijtë e të mundshmes. Tani kur jeni bursist, dua të ju këshilloj diçka ndonëse edhe nuk më pyesni, kur t’i merrni diplomat, kur t’i hidhni kapelat lartë, kthejeni në mendjen tuaj se prej nga vini dhe kush ju mbështeti në rrugën tuaj drejtë suksesit”, theksoi Janevska. Ndërkaq, bursa “Boris Trajkovski”, me vlerë rreth 15 mijë euro, financohet gjysmë nga shteti dhe gjysmë nga “City College” në Selanik, dhe është një ndër mbështetjet më elitare për studentët e dalluar në vend. Por ky vit shënon një mungesë të plotë të studentëve shqiptarë në përzgjedhje, duke hapur nevojën për shpjegim institucional.
Për analistin Xhenur Iseni, kjo situatë nuk mund të interpretohet thjesht si rastësi statistikore. Ai për gazetën KOHA deklaroi se ky rezultat nxit dyshime mbi barazinë e procesit. “Mungesa e studentëve shqiptarë në listën e 20 fituesve është një indicie për diskriminim institucional, por një vlerësim i tillë kërkon transparencë mbi kriteret, procesin e përzgjedhjes dhe të dhënat mbi aplikimet: sa shqiptarë aplikuan, sa prej tyre i plotësonin kushtet dhe si u vlerësuan. Megjithatë, kjo situatë ngre shqetësime legjitime për perceptim të pabarazisë, sidomos në një shtet të ndërtuar mbi parimin e multietnicitetit. Kur një kategori qytetarësh mungon plotësisht nga rezultatet përfundimtare të një konkursi publik, institucionet kanë detyrimin profesional dhe moral të ofrojnë qasje transparente dhe shpjegim bindës, në mënyrë që të shmangin dyshimet për trajtim joproporcional”, theksoi ai.
Sipas Isenit, deklarata e Presidentes për meritokraci është e drejtë në parim, por sipas tij, kur rezultatet nuk pasqyrojnë realitetin shoqëror, institucionet duhet të rishikojnë kriteret dhe transparencën për të shmangur favorizimin e një grupi ndaj tjetrit. “Kontradikta është perceptimore, jo domosdoshmërisht faktike, por institucionet mbajnë përgjegjësinë për ta adresuar atë. Nëse një program bursash nuk arrin as përfaqësim minimal të studentëve shqiptarë, madje as në bursat për gjuhë, atëherë lind pyetja nëse kriteret janë të balancuara dhe nëse politika e bursave është në përputhje me realitetin shumetnik të vendit”, deklaroi Iseni për gazetën KOHA.
Ndryshe, situata e bursave shtetërore për këtë vit akademik e përforcon edhe më shumë këtë pasqyrë problematike. Vetëm pak javë më parë, MASH-i ndau 15 bursa ekskluzivisht për programin e gjuhës maqedonase, duke lënë jashtë studentët e gjuhës shqipe, pavarësisht se shqipja ka status të barabartë zyrtar. Në këtë panoramë, fakti se asnjë student shqiptar nuk ka fituar bursën presidenciale vjen si pjesë e një modeli të përsëritur institucional, ku mungesa e barazisë në politikat arsimore shfaqet si një problem strukturor, pavarësisht fjalimeve për meritokraci, barazi dhe mundësi të barabarta për të gjithë. (koha.mk)

