May 14, 2024
Maqedoni

Asnjë rast pozitiv nga skriningu i nxënësve, pak prindër refuzuan të japin leje për testim

Në një hapësirë të veçantë në shkolla, nisi skriningu i i nxënësve për Covid-19. Të parët që u testuan ishin nxënësit e shkollave të mesme, gjimnazit “Zef Lush Marku” dhe shkolla e mesme e mjekësisë “Pançe Karagjozov”.

Testimi realizohet nga ekipet mobile të Qendrës së Shëndetit Publik Shkup, ndërsa siç thonë epidemiologët procedura zgjat vetëm një minuta dhe “nuk është aspak e dhimbshme”. Rezultatet dalin për tre minuta ndërsa deri tani asnjë nxënës nuk ka rezultuar pozitiv.

“Ato janë teste të shpejta, teste për skrining, janë teste të ngjashme sikurse ato me të cilat bëjmë zakonisht teste sikurse për koronën. Në mëngjes u thash se prindërit nuk duhet të merakosen sepse këto janë strishot e njëjta me të cilën edhe bëhet kontrolli i baktereve te fëmijët, në mikrobiologji, strishot e njëjta me të cilat bëhen kontrolle sanitare. Nuk është e dhimbshme, unë po tregoj në emrin tim dhe të të gjithë kolegëve, që dy vite marrim mostra, as nuk ka pasur lëndim, e as plagë. Kjo bëhet me kujdes dhe e dimë se si bëhet”, tha Denis Jankullovski, epidemiolog nga QShP.

Drejtoresha e shkollës së mjekësisë, Maja Saliu, tha se prindërit e kanë mirëpritur skriningun dhe nuk ka pasur vështirësi gjatë marrjes së lejeve për testim. Të paktë kanë qenë prindërit që kanë, ngaqë kanë thënë se ata e kanë kaluar virusin korona dhe nuk ka nevojë, tregoi Saliu.

“95 nxënës do të testohen sot në shkollën tonë dhe prindërit janë dakord, i kemi deklaratat e tyre në formë me shkrim dhe nuk kemi pasur problem. Vetëm në disa raste kur nxënësit e kishin kaluar Covidin dhe prindërit mendonin që nuk ka nevojë të testohen”, tha Saliu.

Në 9 shkolla të mesme në Shkup u testuan 258 nxënës, ndërsa në territorin e shtetit gjithsej do të testohen 8200 nxënës. Skriningu do të vazhdojë në Krivogashtan, Berovë, Vevçanë, Debarcë, Demir Kapi, Zërnovcë, Konçe, Llozovë, Mogillë, Novaci, Pehçevë, Nagoriçan të Vjetër dhe Qendrën Zhupë.

Qëllimi është detektimi i hershëm dhe gjetja eventuale e bartësve asimptomatik të virusit COVID-19 në mesin e nxënësve. Me të dhëna relevante do të fitohet pasqyra e plotë e transmisionit të virusit nëpër shkolla.