Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të eksponentëve të VLEN-it lidhur me rastin e Alta Bankës, duke akuzuar këtë koalicion për shmangie të përgjegjësisë politike dhe përpjekje për t’ua hedhur fajin të tjerëve.
Sipas ASH-së, Alta Banka hyri zyrtarisht në Maqedoninë e Veriut në shtator të vitit 2025, në kohën kur VLEN-i ishte pjesë e Qeverisë, pozitë që, sipas tyre, vazhdon ta mbajë edhe sot.
Nga Aleanca për Shqiptarët vlerësojnë se reagimet e sotme të përfaqësuesve të VLEN-it për këtë çështje dëshmojnë një amnezi politike selektive, pasi përgjegjësia po kërkohet gjithandej, përveç aty ku duhet.
ASH thekson se kishte paralajmëruar me kohë për rreziqet që mund të sillte hyrja e kësaj banke, veçanërisht në drejtim të zgjerimit të ndikimit të asaj që e cilëson si botë serbe në Maqedoninë e Veriut, kësaj radhe në sektorin ekonomik dhe financiar.
Në këtë drejtim, partia rikujton se shqetësimet e saj i kishte mbështetur edhe në raportin e Komisionit Evropian, ku ishte ngritur çështja e ndikimit të botës serbe në vend.
Sipas ASH-së, paralajmërimet e tyre nuk ishin marrë seriozisht, ndërsa sot, në vend të marrjes së përgjegjësisë, po zhvillohet një përplasje politike, ku palët ia kalojnë fajin njëra-tjetrës.
Aleanca për Shqiptarët vlerëson se, nëse paralajmërimet e saj do të merreshin parasysh në kohë, ndoshta problemi do të mund të parandalohej që në fillim dhe sot nuk do të diskutohej vetëm për trajtimin e pasojave.
Në reagimin e saj, ASH nënvizon se përgjegjësia politike nuk matet me aftësinë për t’ua hedhur fajin të tjerëve, por me veprimet që ndërmerren në momentin kur ekziston mundësia për të parandaluar një problem.

