ASH e Arben Taravarit thekson se rënia e Maqedonisë së Veriut nga vendi i 36-të në të 42-in në Indeksin e Lirisë së Medias për vitin 2025 është alarm i pastër.

“Ky regres nuk është statistikë teknike – është pasqyrë e drejtpërdrejtë e presioneve politike, kapjes së institucioneve dhe përkeqësimit të klimës për gazetarët dhe mediat kritike.

Aleanca për Shqiptarët e ka paralajmëruar se praktikat e vjetra të ndërhyrjeve politike mbi redaksitë, presionet ekonomike, sulmet verbale ndaj gazetarëve dhe mungesa e transparencës qeveritare do të prodhonin pikërisht këtë rezultat. Sot, indeksi i RSF-së e konfirmon.

Treguesit politikë dhe ekonomikë kanë pësuar rënie të dukshme, çka tregon se qeveria në vend që të garantojë liri, po rikthehet tek modeli i kontrollit. Ndërkohë, rritja e pasigurisë për gazetarët është sinjal i rrezikshëm se ambienti i punës së tyre po degradohet.

Aleanca për Shqiptarët kërkon masa të menjëhershme, përfshi ndërprerje të çdo forme presioni politik mbi mediat, transparencë të plotë në financimin publik dhe reklamat shtetërore, hetim dhe ndëshkim të sulmeve ndaj gazetarëve por edhe garanci ligjore që i mbyllin dyert kapjes së mediave.

Në një shtet që pretendon standarde evropiane, liria e medias nuk është luks – është themel. Çdo rënie në indeks është rënie në demokraci. Dhe kjo përgjegjësi bie mbi qeverinë që sot po dështon ta mbrojë fjalën e lirë”, thekson ASH.(INA)

sqShqip