Propozimi për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lojërat e fatit nuk është mbrojtje për qytetarët. Është një ndërhyrje ligjore që, nën emrin e reformës, ruan hapësirat kryesore për vazhdimin e bixhozit.

VLEN po mundohet ta paraqesë këtë propozim si hap në mbrojtje të familjeve dhe të rinjve, por tekstin e ligjit nuk e përcakton propaganda politike. E përcaktojnë nenet. Dhe nenet tregojnë se bixhozi nuk kufizohet realisht, por përshtatet me interesa të caktuara.

Neni 22, paragrafi 5, e ndalon reklamimin e lojërave të fatit, por lë hapësirë për klubet sportive dhe panot pranë terreneve sportive. Pra, reklamat e kazinove dhe bastoreve nuk ndalen. Ato vetëm zhvendosen drejt sportit, aty ku ndikimi te të rinjtë është edhe më i madh.

Fanellat, stadiumet dhe hapësirat sportive janë vende ku të rinjtë krijojnë modele dhe identifikim. Nëse aty vazhdojnë të shfaqen logot e kazinove dhe bastoreve, atëherë ndalimi i reklamimit mbetet vetëm deklaratë politike.

Edhe distanca prej 500 metrash, e prezantuar si masë serioze, bie poshtë sapo lexohet më me kujdes. Neni 24 nuk i përfshin bastoret në këtë kufizim dhe zbatimi i dispozitës shtyhet deri në janar të vitit 2028.

Para zgjedhjeve u premtua largimi i bixhozit nga shkollat dhe lagjet. Pas zgjedhjeve erdhën shtyrjet, përjashtimet dhe formulimet që e lënë problemin pothuajse aty ku ishte.

Pjesa më shqetësuese mbetet bixhozi online. Platforma shtetërore “Megawin” mbetet e paprekur. Bixhozi digjital, i qasshëm në çdo telefon, në çdo shtëpi dhe në çdo orë të ditës, vazhdon të funksionojë si projekt i privilegjuar.

Shteti nuk mund të pretendojë se po i mbron të rinjtë nga bixhozi, ndërkohë që vetë e mban të hapur derën e bixhozit online.

Në këtë ligj shihet qartë logjika politike e qeverisë. VMRO-DPMNE e harton drejtimin, ndërsa VLEN e pranon dhe e promovon pa kundërshtim serioz. Përfaqësuesit shqiptarë në qeveri nuk arritën të imponojnë asnjë ndryshim thelbësor që do t’i mbronte realisht qytetarët, familjet dhe të rinjtë.

Në vend të amendamenteve të forta, kemi arsyetime. Në vend të ndalimit real, kemi tekst ligjor që lë hapur reklamat në sport, vonon distancimin nga shkollat dhe e mban të paprekur bixhozin online.

Pasojat nuk janë teori. Ato shihen në familje të zhytura në borxhe, në të rinj të ekspozuar ndaj kulturës së bastit dhe në adoleshentë që e kanë bixhozin në telefon.

Ky propozim nuk e mbron qytetarin nga bixhozi. Ai e mbron bixhozin nga kufizimi real.

Qytetarët kanë të drejtë ta dinë kush përfiton nga ky propozim, sepse kush humb dihet tashmë. Humbin familjet, të rinjtë dhe shoqëria.

Aleanca për Shqiptarët do ta kundërshtojë këtë propozim me çdo mjet demokratik dhe institucional, derisa Ligji për lojërat e fatit të reflektojë interesin publik dhe jo interesin e industrisë së bixhozit

sqShqip