ASH reagon për 27 Prillin; Urgjentisht duhet që të kërkohet përgjegjësi nga gjykatësit dhe fajtorët e tjerë të mundshëm të përfshirë në këto veprime skandaloze
Shfuqizimi i aktgjykimit për të akuzuarit si organizatorë të ngjarjeve të 27 prillit 2017, ku përsëri shkak janë lëshimet dhe shkeljet procedurale në shkallë të parë, është shndërruar tanimë në praktikë e gjyqësorit në vendin tonë. Pas rasteve të shumta ku për të njëjtën arsye u shfuqizuan aktgjykimet dhe si pasojë vjetërsoheshin lëndët, rasti i fundit vetëm konfirmon dyshimet se këto veprime janë të qëllimshme. Urgjentisht duhet që të kërkohet përgjegjësi nga gjykatësit dhe fajtorët e tjerë të mundshëm të përfshirë në këto veprime skandaloze. Ndërkohë partitë politike dhe faktorët e tjerë relevant duhet sa më shpejtë të ulen për të filluar procesin e vetingut dhe reformat e tjera të nevojshme në gjyqësor dhe prokurori.
Dhuna e 27 prillit 2017 në institucionin më të lartë ligjvënës në vend është një nga ngjarjet më të rënda dhe më skandaloze që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, për diskreditimin dhe njollosjen e shtetit nga një regjim. Aktet e këtilla duhet të marrin dënimin e merituar për të mos u përsëritur kurrë më në të ardhmen. Në të kundërtën, veprimet e këtilla të gjykatave janë legjitimim dhe inkurajim i krimit dhe terrorizmit.