ASH pas vendimit të KSHZ-së për Dibrën: Regjimi ka përdorur “trening bullgar”

Aleanca për Shqiptarët nëpërmjet një njoftimi reagoi ndaj vendimit të KSHZ-së duke thënë se sot u zbulua se si BDI e vodhi fitoren në Dibër.

Sipas tyre, në vendvotimin 0536 është zbuluar se mungon një fletëvotim, dëshmi e fuqishme kjo se në rrethin e dytë është përdorur treni bullgar.

“Gjithashtu në këtë dhe katër vendvotime të tjera, ka korigjim të rezultatit, mungojnë formulari 20 dhe disa kuti votimi nuk janë mbyllur me siguresa. Drejtësia vonon, por nuk harron. Vazhdojmë betejën për t’ua rikthyer Dibrën qytetarëve të Dibrës dhe për ta çuar në vend vullnetin e tyre, thuhet në reagimin e ASH-së.

Ndryshe, sot KSHZ-ja hodhi poshtë dy ankesat e para të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës për rrethin e dytë në Dibër. Të dy ankesat e para kishin të bënin me votim publik të dy votuesve para këshillave zgjedhor dhe jo pas paravanit. Bëhet fjalë për vendvotimet 0547 dhe 0547/1.