May 18, 2024
Maqedoni

ASH: Krenar Lloga ka zbuluar një rast korruptiv të VMRO-DPMNE-së në KSHZ, rasti është në gjykatë, prandaj na sulmojnë

Shpifjet dhe trillimet e fundit të VMRO-DPMNE-së dhe kreut të saj Hristian Mickoski ndaj ASh-së, nuk kanë asnjë motiv tjetër, pos hakmarrjes, pasi Aleanca për Shqiptarët zbuloi skandalin korruptiv në një tender publik me vlerë prej 12 milionë euro që çon deri te Mickoski, thuhet në reagimin e ASH-së.
“Bëhet fjalë për blerjen abuzive të një sistemi për identifikim biometrik të votuesve që asnjëherë nuk ka funksionuar e që Krenar Lloga, anëtari i KShZ-së i propozuar për Ministër të Drejtësisë, e zbuloi dhe denoncoi në Komisionin Antikorrupsion dhe në organet e drejtësisë. Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe Revizioni Shtetëror tanimë kanë hapur lëndë për këtë rast korruptiv të partisë së Mickoskit, ndërsa janë informuar edhe ambasadat në vend”, thuhet në reagimin e ASH-së.
Ata shtojnë se VMRO-DPMNE ka një të kaluar të gjatë kriminogjene dhe korruptive nën udhëheqjen e Gruevskit nga i cili, Mickoski si i mbrojturi i tij në krye të VMRO-së nuk është distancuar asnjëherë, qoftë edhe sa i përket narrativit shovinist apo metodat korruptive.