October 8, 2024
Kolumna

Amaneti i dëshmorit te Kroi i Hallës, aty ku kishte lozur si fëmijë

SHKRUAN: NEHAT JAHIU

TE KROI I HALLËS

Lufta kishte filluar. Shumë djem dhe vajza kishin veshur uniformën e ushtrisë çlirimtare. Trimat e lirisë, nga të gjitha trojet. Krah për krahu vëllai me vëllanë,motra me motrën. Vëllai me motrën.

Nga çdo vend i trojeve tona: edhe nga diaspora. Kishin ardhur nga çdo anë ku frymonte shqipja e bukur. Ku bukës i thuhej bukë e ujit- ujë. Troç, shqip.

Atë natë të muajit maj, kur lulet kundërmonin aromën e tyre të këndshme maleve dhe fushave të vendlindjes sime, kur hëna po bëhej nuse, Ali Shkoza me shokët e tij në vijën e parë
të frontit po bënin luftë. Luftë për liri. Barazi.
Dhe, kur hëna ikte pas bjeshkëve të Karadakut
e dielli po i lëshonte rrezet e tij tek vija e zjarrit, aty tek lëndinat pranë Kroit të Hallës, do të buzëqesh së bashku me rrezet e diellit dëshmori i lirisë, Ali Shkoza.
Do ta përqafoj i buzëqeshur lëndinën e bukur të
vendlindjes. Të atdheut të tij të lashtë.

Ai si trim shtrëngoi në grusht dheun e lagur me
gjakun e tij të derdhur. Donte t’i pastronte plagët me ujin e bardhë si dëbora e bjeshkëve të Karadakut Plak, që buronte nga zemra e gurit. Aty tek Kroi i Hallës.

Trimi vdes në krahët dhe në prehër të shokëve të tij të luftës. Ra dëshmor. Amaneti i tij i fundit ishte: Të varroset aty ku kishte dhënë frymën e fundit. Aty tek lëndina, mbushur me bar të njomë e me lule tërfoje.
Pikërisht, te ata lisa të gjatë pranë Gurit të Shpuar, ku barinjtë e vendlindjes mrizonin tufën e deleve. Tek vendlindja e bukur, ku ruante ende kujtimet më të bukura, ku kishte vrapuar e luajtur kur ishte fëmijë.
Tek atdheu i tij, ku la amanetin e fundit.
Trimi u varros te Kroi i Hallës, ku dielli lëshon rrezet e tij të arta, më bukur se gjithkund.