April 29, 2024
Maqedoni

ASH-Kërçovë me thirrje ndaj zyrtarëve, “ktheni sytë nga Kërçova, TEC Osllome po na helmon, mbeturinat na mbysin”

Aleanca për Shqiptarët në Kërçovë përpara TEC Osllome kërkuan që të vendosen filtra në këtë termoelektranë. Ata thonë se TEC Osllome vazhdon të helmojë banorët e Kërçovës, për shkak të neglizhencës së institucioneve që ende as nuk mendojnë të vendosin filtra.

Ata gjithashtu theksuan se hapësira në rrethinën e elektranës shpesh herë shndërrohet në deponi ilegale që kundërmon me erë të keqe gjithë rajonin dhe bëhet çerdhe e rreziqeve të ndryshme për shëndetin e banorëve të Kërçovës.

“Ju bëjmë thirrje zyrtarëve aktual që të kthejnë sytë kah Kërçova, të cilën ditëve të fundit e përmendin në vazhdimësi për përfitime partiake afatshkurtër. Kërçova dhe kërçovarët meritojnë më shumë, por sot janë në një gjendje që ju rrezikohen edhe kushtet elementare për jetë. Prandaj, ne si Aleancë për Shqiptarët ngrisim edhe një herë alarmin mbi këtë problematikë si dhe ndaj shumë dukurive të tjera destruktive. Vlerësojmë që përmirësimi i cilësisë së jetës në Kërçovë do të fillojë me përmirësimin e përfaqësimit politik të shqiptarëve si në nivel lokal ashtu dhe në atë qëndrorë”, deklaroi Abdulla Sejdini nga Aleanca për Shqiptarët.