Pas dorëheqjes publike të Arben Fetait nga posto i zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Aleanca për Shqiptarët përmes një komunikate ka reaguar, duke e cilësuar veprimin e tij si një tradhti ndaj besimit që i ishte dhënë nga partia, bashkëpunëtorët dhe qytetarët.
Sipas tyre, Fetai u afrua në politikën aktive nga kryetari Arben Taravari, i cili i besoi një rol të rëndësishëm në parti dhe në ekzekutiv, duke i hapur rrugën për të qenë pjesë e vendimmarrjes në nivel të lartë.
Ja reagimi i plotë:
Një pyetje e thjeshtë, por shumë e rëndësishme qëndron sot mbi tryezën e politikës të vendit tonë, Arben Fetai është apo nuk është ende zëvendëskryeministër i Republikës së Maqedonisë së Veriut?
Nëse po, pse nuk shkon në punë? Nëse nuk shkon në punë pse nuk jep dorëheqje? Dhe pse kryeministri Mickoski nuk merr asnjë iniciativë për shkarkimin e tij?
Fetai luajti një rol të rëndësishëm në këtë qeveri brenda koalicionit VLEN. Dha premtime. Bëri zotime. Siguroi njerëz se qëndronte pas tyre dhe se ata mund të qëndronin pas tij. Por sot ai ndodhet diku tjetër larg vendit, larg detyrës, larg të gjithë atyre që i besuan.Dhe kjo thotë gjithçka.
Sepse nëse shumë njerëz qëndruan pas tij siç ai vetë e ka thënë shpesh atëherë largimi i tij nuk është thjesht braktisje e një posti politik. Është braktisje e njerëzve. Janë premtimet e lëna në baltë. Janë zotimet e harruara.Janë fytyrat e atyre që e besuan, të cilët sot gjenden pikërisht aty ku Fetai i akuzonte të tjerët se i çonin në baltë.

