Bekim Pocesta, anëtar i kryesisë së Aleancës për Shqiptarët, ka reaguar përmes një postimi në Facebuk, duke kritikuar ashpër bilancin e deritanishëm të qeverisjes së koalicionit VLEN, thuhet në kumtesën e Aleancës për shqiptarët, të cilën MIA e publikon në formë integrale.

Sipas Pocestës, gati dy vjet pas ardhjes në pushtet, pritjet për ndryshim nuk janë përmbushur, sidomos në dy çështje kyçe: eurointegrimin dhe të drejtat e gjuhës shqipe. Ai thekson se procesi drejt Bashkimit Evropian është bllokuar, ndërsa statusi i gjuhës shqipe, sipas tij, ka pësuar regres të dukshëm.

“Rruga drejt BE-së është zhytur në pritje pa afat, ndërsa të drejtat gjuhësore janë degraduar deri në atë pikë sa qytetarët detyrohen t’i kërkojnë në rrugë”, shkruan Pocesta.

Ai kritikon edhe qëndrimet e kryeministrit Hristijan Mickoski për ndryshimet kushtetuese, duke vlerësuar se kjo qasje po e normalizon bllokadën politike, ndërsa partnerët shqiptarë në qeveri po e justifikojnë atë.

Pocesta ngre shqetësime edhe për mosrespektimin e përdorimit të gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, duke theksuar se në disa raste nuk ofrohen shërbime në këtë gjuhë.

Në përfundim, ai vlerëson se 22 muajt e qeverisjes së VLEN-it nuk kanë sjellë ndryshimin e premtuar, por vetëm “zhurmën e tij”.

“Për shumë qytetarë, VLEN nuk duket si koalicion i ndryshimit, por si koalicion i zhurmës”, përfundon Pocesta.

sqShqip