May 19, 2024
Maqedoni

Asgjë nga transporti falas dhe 250 autobusët e rinj/ Arsovska fajëson Këshillin: Nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë

Qytetarët e Shkupit, në gjysmën e dytë të vitit 2023 do të kenë transport publik falas. Kështu thoshte e para e Shkupit Danella Arsovska pikërisht një vit më parë. Ajo në programin e saj të quajtur “Për Shkup modern”, pati premtuar transport tërësisht falas për të gjithë qytetarët, por edhe blerjen e 250 autobusëve të rinjë ekologjik. Por ku mbet ky premtim i Arsovskës? Ajo ankohet se këtë propozim e ka dorëzuar disa herë në këshill, por të njejtit nuk e kanë miratuar.“Për realizimin e këtij projekti tanimë dhjetëra herë është dorëzuar para këshilltarëve vendimi me të cilën duheshte këto 250 autobusë të fillojnë të furnizohen. Mirëpo tek ta për fat të keq vetëdija nuk është në atë nivel të kuptojnë se për qytetarët tanë është e domosdoshme të kenë transport publik me të cilin do të arrijnë deri në çdo lokacion të mundshëm, në çdo vendbanim, të gjithë nxënësit të mund të dërgohen në shkollë dhe të arrijnë në punë në kohë.”- deklaroi Danella Arsovska, Kryetare e Shkupit.
“Propozimi i saj në asnjë votim nuk mori mbështetje nga më tepër se 7-8 anëtarë të Këshillit nga gjithsej 45. Problemi është në atë se Arsovska nuk ka shumicë në këshill që do ta mbështeste. Ajo nuk bashkëpunon me koordinatorët e dy koalicioneve më të mëdha në këshill e as me kryetarin e këshillit. Këshilltarët e VMRO-DPMNE-së konsiderojnë se me huamarje nuk do të realizohet premtimi për transport falas.”- tha Trajko Sllaveski, Kryetar i Këshillit të Shkupit.

Përpos 250 autobusë të rinjë dhe transport falas, Arsovska kishte paraparë që nëpër autobusë të ketë madje edhe wifi internet falas si dhe USB mbushës për celularët. Arsovska paralajmëroi që transporti falas do të jetë pjesë e propozim-buxhetit për vitin 2024 por sipas Sllaveskit, kjo gjë është vështirë e realizueshme përshkak se NQP Shkup mezi i mbulon pagat e të punësuarve si dhe po paguan borxhe të vjetra.