Të nderuar bashkëqytetarë, të nderuar miq, anëtarë dhe simpatizantë të Bashkimit Demokratik për Integrim!

Dua t’ju njoftoj se nga sot nuk do jem më kryetar i degës së BDI-së në Dibër.
Çdo cikël politik, ashtu si çdo rrugëtim njerëzor, ka fillimin dhe mbarimin e vet.
Jam krenar që pata nderin të udhëheq degën e BDI-së në Dibër për këto vite dhe bashkë me ju arritëm ta zhvillojmë, ta forcojmë dhe ta bëjmë një strukturë të pakonkurueshme në shumë procese zgjedhore.
Si kurrë më parë, BDI për tri cikle zgjedhore, deri në ato parlamentare- bashkë me koalicionin- aritëm që të fitojmë 51 % (3600) të votave të përgjithshme në Dibër.
Megjithatë, në zgjedhjet e fundit lokale, rezultati nuk ishte ai që pritëm dhe për të cilin punuam me përkushtim.
E them me bindje se shkaqet nuk qëndrojnë te puna jonë lokale, por te rrethanat e krijuara nga marrëveshjet e koalicioneve, që në shumë aspekte minimizuan rolin e BDI-së në Dibër.
Më e dhimbshme ishte që, ndonëse ishim partia më e madhe dhe me listën më të gjerë të këshilltarëve, u defaktorizuam plotësisht me pjesëmarrjen në listën e koalicionit, edhe pse për këtë rrezik kemi paralajmëruar me kohë gjitha organet vendimarrëse.
Megjithatë, vendimet ishin të marra në nivel qëndror dhe ne i kemi respektuar me përgjegjësi.

Edhe pse largohem nga udhëheqja e degës dhe si mos i zgjedhur në asnji nga organet e partisë në Kongresin e fundit (standard që duket se vetëm ndaj meje u implementuan), si mbajtësi i përgjegjësisë-pa pasur as më të voglën përgjegjësi- për rezultatin e dobët në nivel komunal, mbetem besnik i rrugës, vizionit dhe filozofisë së liderit tonë historik, Ali Ahmeti.
Besoj thellë në misionin që ai nisi dhe që duhet të vazhdojë, pavarësisht emrave që ndryshojnë.

Jam shumë krenar që këtë cikël e mbyll me pastërti absolute, duke mos pasur as edhe një rast ku ndonjë qytetar i Dibrës të jetë prekur në nder (moral), pasuri apo në gjak.
Për këtë jam dhe do të mbetem krenar, bashkë me familjen time, e cila e ka ndjerë më shumë se kushdo përkushtimin, peshën dhe sakrificën që kërkon kjo detyrë.

Sot, më shumë se kurrë, ndihem krenar që në këto gjashtë vite si kryetar dege, asnjë njeriu, asnjë familjeje, qoftë pasuria apo nderi nuk i është cenuar. Kjo është pasuria më e madhe që ia lë trashëgim familjarëve të mi dhe vajzës sime të vetme.
Që në fillimet e mia në politikë, si fëmijë i një prindi që për arsye politike u përjashtua nga puna, e kam ndier në shpirt dhimbjen e padrejtësisë.
Me futjen në politikë, në çdo moment e kam pasu në mend momentin më të rëndë dhe delikat të jetës sime- kur isha student i vitit të parë dhe babai im u përball me padrejtësinë e përjashtimit nga puna, ndërsa familja mbeti pa asnjë të ardhur- unë vetes i vendosa një qëllim: që askush tjetër të mos e ndjejë kurrë nga unë atë që unë vetë e kam përjetuar në familje.
Për këtë arsye jam krenar që asnjëherë nuk kam ndikuar që dikush të përjashtohet nga puna, të humbë të ardhurat apo dinjitetin e tij për arsye politike.

Edhe pse shpesh kam qenë i sulmuar nga qarqe të ndryshme, me akuza të paqena, që shkonin deri në akuza për kriminalitet e korrupsion, e vërteta është se asgjë nuk u provua kurrë.
Gjithçka isha viktimë e një fushate baltosjeje ndaj meje, nga kundërshtarë, por edhe “miq” të dyshimtë, që, si ish ushtar i UÇK-së, u përpoqën të më njollosin dhe të më degradojnë, për të ndalur misioni tim, si një ndër personat që stoikisht kemi mbrojtur dhe luftuar për kauzat kombëtare dhe për të mbajtur të padevijuar rrugën e misionarit Ali Ahmeti.
Por një gjë mbetet e qartë: asgjë nga ajo që u shpif nuk u vërtetua dhe asnjëri prej tyre nuk pati guximin të ma thotë në sy atë që e fliste nëpër kuluare.
Integriteti im nuk lind nga posti dhe nuk mbahet për interes.
Ai lind nga ndjenja e pastër kombëtare, nga sacrifica, nga veprimtaria publike dhe kombëtare që kam bërë dhe nga përpjekja për ta ruajtur gjithmonë të pastër atë që besoj dhe përfaqësoj.
Gjatë gjithë këtyre viteve, kam qenë dhe do të mbetem njeri që asnëherë nuk ka mbyllur derën për askënd, për asnjë qytetar, për asnjë nevojë, për asnjë kërkesë që kishte të bënte me të mirën e përbashkët.
Gjithashtu, dua të kërkoj ndjesë ndaj kujtdo që, ndoshta pa dashje, mund ta kem lënduar, zhgënjyer apo dëmtuar në ndonjë mënyrë! Por duhet ta dijnë të gjithë: asnjëherë, asnji veprim që mund të ketë lënduar apo dëmtuar dikë, nuk ka qenë me qëllim.
Në fund, pasi do më ngelet edhe kohë që të merrem me shëndetin tim të ligë kohët e fundit dhe, me dëshirën e Zotit, të rikthehem i konsoliduar sëpaku pranë familjes sime, dua të shpreh mirënjohje të veçantë për të gjithë anëtarët, simpatizantët dhe bashkëpunëtorët e sinqertë për kontributin dhe bashkëpunimin e deritanishëm. Edhe ata që ndoshta kanë gabuar apo qëndruar me “thikën pas shpine” janë të falur nga zemra, duke shpresuar që çdo mosmarrëveshje të tejkalohet të vazhdojmë bashkë përpara, në rrugën tonë të përbashkët, për një Dibër më të zhvilluar dhe një BDI më të fortë.
Ndërsa kryetarit të sapozgjedhur, shokut tim dhe ish nënkryetarit të Forumit Rinor -BDI-Dibër, kur unë isha kryetar, z.Butrint Selës i uroj suksese dhe arritje maksimale në realizimin e misionit dhe platformës kombëtare të BDI-së dhe Ali Ahmetit!
Me respekt dhe mirënjohje,
Artin Spahiu
Dibër, 26.12.2025

sqShqip