May 12, 2024
Maqedoni

Arsovski: Qëndrimi i VMRO-së për ndryshimet kushtetuese do ta vështirësojë gjetjen e një partneri koalicioni!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) presin formimin e një qeverie të dedikuar për integrimin evropian të vendit pas zgjedhjeve parlamentare të 8 majit në Maqedoninë e Veriut. Në anën tjetër, kemi dy blloqe politike në vend që marrin pjesë në zgjedhjet e 8 majit – nga njëra anë është opozita VMRO-DPMNE, e cila vazhdon të kundërshtojë miratimin e ndryshimeve kushtetuese që janë “vizë” për progresin e mëtejshëm të vendit drejt BE-së dhe bllokut të partive pro-evropiane në pushtet, koalicionit të partnerëve tradicionalë të LSDM-së, BDI-së dhe partive opozitare shqiptare brenda koalicionit VLEN, të cilët deklaruan se pjesëmarrja e tyre në qeverinë e ardhshme do ta kushtëzojnë me ndryshime kushtetuese, shkruan PRESSonline.al

Analisti politik dhe publicist Petar Arsovski në një prononcim për “Frontline” thotë se qëndrimi i fortë i VMRO DPMNE-së për çështjen e ndryshimeve kushtetuese, diçka që është prioritet për bashkësinë ndërkombëtare, por edhe për një pjesë të madhe të partive shqiptare në vend, do ta vështirësojë gjetjen e një partneri koalicioni, domethënë do të komplikojë procesin e formimit të Qeverisë.

Megjithatë, ai është i mendimit se kjo nuk do të jetë vendimtare, gjegjësisht do ta pengojë VMRO-DPMNE-në të formojë qeveri nëse fiton zgjedhjet.