Etem Xheladini
Në një kohë kur politika shqiptare, si në nivel qëndror, ashtu edhe në atë lokal, është zhytur në luftë për poste pa kompetenca reale, arsimi shqip po kalon një nga krizat më të rënda në historinë e tij.
Çdo ditë e më shumë, po bëhet e qartë se arsimi nuk është prioritet për vendimmarrësit tanë, të cilët, në vend se të punojnë për përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe mësimdhënësit, janë të fokusuar në interesa personale dhe partiake.
Politizimi i thellë i sistemit arsimor, emërimi i personave jo-kompetentë në pozita kyçe, mungesa e vizionit dhe mungesa e investimeve serioze në infrastrukturën shkollore janë vetëm disa nga shkaqet që e kanë sjellë arsimin shqip në këtë gjendje alarmante.
Sot, në shumë shkolla mungojnë tekstet bazë, laboratorët, kabinetet, bibliotekat, madje edhe hapësirat minimale për zhvillimin e mësimit. Mësimdhënësit janë të nënvlerësuar dhe të lodhur, ndërsa nxënësit nuk kanë as mundësitë më të thjeshta për një shkollim dinjitoz.
A është kjo trashëgimia që po i lëmë brezave të rinj?
Edhe më shqetësues është fakti se në disa qendra shkollore, nxënësve shqiptarë u mohohet e drejta themelore për të mësuar në gjuhën amtare, gjë që përbën shkelje të të drejtave elementare dhe ndikon thellësisht në formimin e tyre kulturor e kombëtar.
Tashmë është e qartë: nëse nuk ndërmerret asgjë, shumë shpejt do të përballemi me shkolla të zbrazura dhe një brez të humbur, pa shpresë dhe pa identitet.
Është momenti për vetëdijësim qytetar.
Heshtja e deritanishme na ka sjellë këtu.
Tani është koha që të gjithë, prindër, arsimtarë, intelektualë, studentë, të kërkojmë me zë të lartë një arsim cilësor, të depolitizuar dhe të drejtë.
Të kërkojmë llogari dhe të mos lejojmë që shpresa për një të ardhme më të mirë të shuhet nga etja për pushtet e përfitim personal.
Arsimi është themeli i çdo shoqërie.
Pa arsim nuk ka zhvillim, nuk ka progres, nuk ka komb.