April 30, 2024
Kulturë

ARSHI PIPA disident, kolos i kombit

SHKRUAN: DAIM ILAZI

Arshi PIPA, intelektual me famë botërore dhe disidenti i madh si duket e kemi lënë në haresë.Edhe veprat e tij i ka mbulu pluhuri i haresës.Ky kolos ka qenë professor në disa fakultete amerikane, publicist, poet, gjuhëtar, kritik letrar, përkthyes,poliglot dhe pedagog i lart.
U lind më 28 korrik në Shkodër,i biri Mustafa Nuriut dhe Hatixhes. I ati ishte jurist i shkolluar në Stamboll dhe në kohën e Luftës së Parë Botnore ishte jurist i Drejtorisë së Drejtësisë në Shkodër nën pushtim-administrimin austro-hungarez.
Mësimet e shkollës fillore fillore dhe të mesme i mori në vendlindje, të parat te Kolegji Saverian e më tej për 8 vjet në Gjimnazin e Shkodrës në degën klasike, që e përfundoi më 1938. Me përkujdesjen e të atit për edukatën fetare, ndiqte edhe mësime në medrese pas dite .Më 1936 me poezinë ,, Në lamën e luftës,, fitoi çmimin e tretë në një konkurs poezie të shpallur nga e përkohshmja “Cirka”.
Më pas studioi Letërsi e Filozofi në Universitetin e Firences, diplomoi me tezën “Morali dhe feja tek Bergson”. U kthye në Shqipëri dhe nga viti 1941 dhe deri në fund të vitit 1944 ligjëroi lëndën e filozofisë në Licetë Shtetërorë të Tiranës, Shkodrës dhe të Durrësit.
Kur Lidhja e Shkrimtarëve nisi botimin e organit “Bota e Re”, Pipa me Kutelin ishin të vetmit jokomunistë në këshillin drejtues. Mori pjesë në Kongresin e Parë të Lidhjes në tetor të 1945, drejtuar nga Skënder Luarasi. Për pak kohë, në vitin 1945, qe mësues i italishtes dhe i gjuhës shqipe në Kolegjin e Mësuesve, Tiranë. Pasi u arrestua miku i tij Hysen Ballhysa më 4 dhjetor 1946, Pipën e arrestojnë më 27 prill 1947 dhe pas tyre u arrestuan edhe Preng Kaçinari me Pashk Gjeçin. Pipa u akuzua se gjatë kohës së luftës kishte “drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për të maskuar okupacionin fashist” dhe se vijonte punën me studentët e vet duke e akuzuar pushtetin komunist si terrorist, akuza për të cilat u dënua me 20 vjet heqje lirie.
Burgimi dhe golgota e tij:
Vuajti në burgjet dhe kampet e shfarosjes (Durrës, korrik 1948 Vloçisht, nëntor 1948 Gjirokastër, Korçë, “Artizanati” i Tiranës, Burrel etj. ku përveç punës së detyrueshme u bë një nga ligjeruesit e mësimdhënies së letërsisë, filozofisë dhe gjuhëve përgjatë dënimit,ku shkroi librin me poezi “Libri i Burgut”. Familjen e shpërngulën disa herë derisa në nëntor 1949 bashkë me 20 familje të tjera të persekutuara i shpërnguli në disa shtëpi boshe në plazh. Në këtë kohë i ati ishte i paralizuar dhe ndërroi jetë.
Pipa lirohet nga burgu më 26 prill 1956 dhe një natë të fundverës së 1957 arratiset bashkë me të motrën, Fehimen. Vendoset në Sarajevë,Bonie Herzegovinë,në ish Jugoslavi gjer më1958. Ja si e pershkruan jetën në burg në një poemë të gjatë:

Nga Korça bumbullon. Currila shiu

rrjedhin prej mushamás mbi krena e shtroje.

Pështillen, struken gjindja ndër mbuloje:

Nji lamsh ku qelben recka e mish njeriu.

Mbramje. Dikush përbrî qet gjak për goje.

Këndon letas mbatanë nji fmí arxhiu.

Ky grindet për pak uj qi shoku i piu;

Ai shán se i vodhën bukën. Hín nji roje.

Shkopinj e shqelma. Britma. Frín bilbili.

Pushim. E dergjet lodhja, prân secili,

E flên kush mundet për atë natë me fjetë….

Vëllimin e parë poetik me titull “Lundërtarët” e botoi në v. 1944. Të dytin, “Libri i burgut” të shkruar në letra cigaresh, në burgjet e kampet e punës së detyruar, e botoi në Romë në vitin 1959. Më 1969, Pipa botoi në Munchen antologjinë poetike “Meridiana”, një përzgjedhje nga botimet e mëparshme dhe disa poezish të pabotuara, si p.sh. “Preludet”, shkruar në Firencë dhe Tiranë më 1941.

Pipa ka lënë një trashëgimi të pasur në fushën e përkthimeve poetike nga latinishtja, italishtja, frëngjishtja, gjermanishtja , anglishtja. Vetëm gjatë kohës njëvjeçare që jetoi si refugjat në Jugoslavi, ai përktheu një vëllim poetik me titull “Lyrika Latine”, (rreth 250 faqe të plotësuara me shënime të ndryshme metrike), mbetur në dorëshkrim.

Mërgimi:
Emigroi në Shtetet e Bashkuara më 1959. Në fillim punoi si arkëtar në një hotel të Nju Jork-ut. Emërimi i tij i parë ishte në kolegjin Philander Smith, Little Rock, Arkansas, ku ligjëroi për filozofi më 1960. Vitin akademik pasues, drejtoi departamentin e gjuhës italiane në City University, Georgia, në “Shkollën e Gjuhëve dhe të Gjuhësisë” dhe në të njëjtën kohë jepte mësim filozofi, në “Kolegjin e Arteve të Lira” (verë 1961, dhe ’62). Ka qene pedagog i gjuhës italiane në universitetin Kolumbia në vitet 1961-62, dhe profesor i asociuar i gjuhës italiane, në universitetin e Delfit, Garden City, dhe, në të njejtën kohë, gjatë verës, ligjeroi filozofi në Kolegjin e Arteve të Lira..
Në vitet në vazhdim ligjëroi tema filozofike në kolegjin Adelphi Suffolk. Nga viti 1963-66 ishte profesor i asociuar në vitin akademik 1963-64 në departamentin e gjuhës italiane, në universitetin e Kalifornias, Berkley. Në vitin 1966, mbrojti disertacionin për gradën e doktorit në filozofi (Ph.D).
Përkrahu lëvizjen studentore të Berkley University të Kalifornisë, e njohun si “Free speech movement”, dhe u ba kritik i pa anshëm i politikës. Nga viti 1966, ka qenë në fakultetin e Universitetit të Minnesota-s dhe Minneapolis, fillimisht si profesor i asociuar (1966-69), dhe më pas si profesor i gjuhës italiane, në departamentin e gjuhëve frënge dhe italiane (Departamenti i Gjuhëve Romane gjatë vitit 1968). Arriti të jetë pjesëtar i Universitetit të Minesotes, si anëtar me të drejta të plota dhe gjithashtu kontribuonte në planifikimin, hartimin dhe ndarjen e diplomave të studimeve të gjuhës italiane. Programi për gradat e master-it u themelua në vitin 1968, ndërkohë ai ishte drejtues i programit master (“graduate school”) në gjuhën italiane. Temë-diplomat për master dhe disertacionet e PhD u shkruan dhe u miratuan nën drejtimin e tij. U ka dhënë gjithashtu mësim bashkërisht, kurseve të diplomuara të gjuhëve Frënge dhe Italiane, (Simbolizmi Francez dhe Hermetizmi Italian, Romantizmi në Francë dhe në Letërsinë Italiane), duke pasuar me themelimin e programeve të master-it, në gjuhët Frënge dhe Italiane (1970), të konceptuar dhe hartuar me iniciativën e tij. Me daljen në pension u vendos përfundimisht në Washington, D. C., pranë së motres.
Gjatë kësaj kohe u intensifikuen lidhjet e tij me “Vatrën” dhe “Diellin”. Gjithnjë, ai ka qenë bashkëpunëtor i zellshëm i “Diellit”. Shqetësimet e tij për gjendjen e “Vatrës”, në këte kohë, dhe mendimet e tij për prosperitetin e saj, ai i shprehu, së pari, në “Dielli”, në artikullin e gjatë “Për riorganizimin e Vatrës”, (nr. i 16 gushtit 1983) dhe në Fjalimin e rastit të 28 Nandorit 1986, “Për shpëtimin e Vatrës”, që u botue në “Diellin” e 28 shkurtit, 1987. Më duket se Arshiu ka dhënë përcaktimin ma të saktë dhe ma të bukur për Vatrën: “Vatra asht nji monument historik i vetëdijes dhe kulturës kombëtare”. Ai ka shkruar me dhimbje kraharori për gjendjen e mjeruar të “Vatrës” dhe ka vlerësue lart prestigjin e saj ndaj organizatave të tjera të diasporës.
Në pranverë të vitit 1991, Pipa u zgjodh kryetar i “Vatrës”, pa qenë anëtar i saj, detyrë në të cilën qëndroi vetëm një vit, sepse në qershor të 1992-shit, nuk u rizgjodh. E mori kryesinë e “Vatrës” me të vetmin qëllim për ta vënë atë në shërbim të problemeve me rëndësi të jashtëzakonshme historike, që dolën para kombit tonë: zhvillimeve demokratike në Shqipëri dhe zgjidhjes së problemit të Kosovës. Gjatë kësaj kohe tepër të shkurtër, ai iu kushtua me të gjitha energjitë rimëkëmbjes së “Vatrës”, dhe kreu shumë punë me vlerë. Sot fort pak e kujtojmë këtë kolos,këtë xhevahir të kombit.
Vazhdimisht, Pipa ka ndjekë në mënyrë aktive zhvillimet politike në atdhe, në Kosovë dhe në trojet shqiptare në Ballkan U ka dërgue letra personaliteteve ma të lalta të administratës amerikane, ka folë në “Zërin e Amerikës”, duke dhënë shumë intervista në massmediume amerikane etj.
Arshi PIPA ka pas dëshirën përvëluese për ta pa Shqipërinë demokratike e perëndimore dhe Kosovën e lirë .Pak vite para se të vdiste, ai i dhuroi Muzeut historik të Shkodrës bibliotekën e tij të pasur. Vdiq në 20 korrik 1997 në Washington DC me zemër të plasur për atdheun e kombin.
DAIM ILAZI