Ish-ministri i Ekonomisë në Serbi, Rade Basta, është arrestuar këtë të mërkurë me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd, nën dyshimin për dëmtimin financiar të ndërmarrjes publike “Beogradske Elektrane” me dhjetëra miliona dinarë.
Sipas mediave serbe, Basta dyshohet se ka shkaktuar dëmin gjatë kohës kur drejtonte ndërmarrjen publike që administron sistemin e ngrohjes qendrore në kryeqytetin serb.
Hetimet lidhen me dyshimet se ai kishte miratuar donacione të pajustifikuara për organizata të ndryshme sportive, përfshirë klube të vogla futbolli, basketbolli dhe një klub kalërimi. Arrestimi është kryer nga efektivët e Njësisë për Luftën kundër Korrupsionit, të cilët po zhvillojnë një operacion të gjerë, përfshirë kontrolle në ambiente të ndryshme.
Sipas informacioneve jozyrtare të transmetuara nga RTS, në kuadër të të njëjtit hetim po shoqërohen edhe disa persona të tjerë që dyshohet se kanë lidhje me çështjen. Autoritetet po verifikojnë mënyrën se si janë miratuar dhe shpërndarë fondet e ndërmarrjes publike, si dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Rade Basta ka mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë në qeverinë serbe nga tetori i vitit 2022 deri në vitin 2023, kur u shkarkua nga detyra. Ai ishte emëruar në këtë post si përfaqësues i partisë “Serbia e Bashkuar” (Jedinstvena Srbija). Shkarkimi i tij erdhi pas deklaratave publike për nevojën që Serbia të mbante një qëndrim lidhur me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për agresionin kundër Ukrainës.
Pas largimit nga qeveria, Basta themeloi lëvizjen politike “Rruga Evropiane” (Evropski put). Hetimet për dëmin e dyshuar financiar ndaj ndërmarrjes publike vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të përcaktojnë përgjegjësinë penale të ish-ministrit dhe personave të tjerë të përfshirë.

