May 4, 2024
Rajon - Botë

Arrestimi i Nenad Orloviç i dyshuar për sulm ndaj KFOR-it, reagon Lista Serbe

Lista Serbe ka reaguar pasi Policia e Kosovës arrestoi të dyshuarin Nenad Orloviç, i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”, i dyshuar për përfshirje në dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it më 29 maj.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook në faqen zyrtare të tyre thuhet se arrestimi i një tjetër qytetari serb ka ndodhur vetëm pak orë pas bisedimeve mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe përfaqësuesve të lartë të Bashkimit Evropian.

Sipas reagimit të tyre, ata kërkojnë nga EULEX dhe KFOR të vendosin forcat e tyre sa më parë në veri të vendit dhe të garantojnë paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët.

“Nenad i cili është njeri familjar, baba i katër fëmijëve punonte me kohë të pjesshme, për të qëndruar në Kosovë dhe Metohi dhe për të mbështetur fëmijët e tij. Arrestimi i tij vazhdon planin e Kurtit me të cilin gjysma e serbëve duhet të dëbohen e gjysma të arrestohen.
Duke pasur parasysh qëllimin për të frikësuar serbët në Kosovë dhe Metohi, sidomos në veri, kërkojmë që Eulex dhe KFOR të vendosin forcat e tyre sa më parë dhe të garantojnë paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët, dhe në këtë mënyrë ta pengojnë Kurtin që të shkaktojë kaos dhe të udhëheqë tërësinë e Ballkanit në konflikte. Është detyrë dhe obligim i tyre që t’i mbrojnë qytetarët pavarësisht nacionalitetit të tyre sepse dhuna institucionale e ushtruar nga Kurti është e papërballueshme”, thuhet në reagimin e tyre.