Shkup, 8 Prill – Kanë marë fund ‘raportet e ftohura’ të zëvendës kryeministrit Arben Fetai me koalicionin VLEN, mer vesh portali Lideri.mk. Ftohjet e raporteve, sado të mohuara zyrtarisht, dolën në sipërfaqe para një muaji, kur mediumet raportonin për ndarje brenda ASH-së që është pjesë e koalicionit VLEN dhe të qeverisë, respektivisht ftohje në raportet mes dy përfaqësuesve të saj në ekzekutiv, Arben Fetai dhe Azir Aliu. Aliu krijooi përparësi në këtë përplasje, pasi me vete kishte edhe deputeten Mimoza Musa, e ndërkohë u përforcua edhe me deputetin Ilir Demiri, që pak më herët ishte ‘pavarësuar’ nga ASH-Sela.

Pas këtyre zhvillimeve, Fetai i cili më herët konsiderohej si lider i ASH-VLEN, u paraqit me një letër publike me tone mjaftë kritike ndaj koalicionit shqiptar në pushtet, e më pas u tërhoq nga çdo paraqitje në opinion, duke lënë përshtypje se është çështje kohe kur do të tërhiqet tërësisht nga VLEN. Kjo përshtypje u forcua edhe nga kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, i cili pritet të jetë bashkëkryetar i VLEN-it, bashkë me Izet Mexhitin.
‘“Atë që e di për momentin nuk ndodhen brenda vendit dhe nuk kam pasur ndonjë komunikim me ta. Ndërsa sa i përket VLEN-it, sipas informatave që kam, ata në një farë mënyre kanë shprehur me vetë dëshirë që të mos jenë pjesë e VLEN-it’, pat deklaruar Kasami.

Mirëpo, rikthimin e tij në VLEN, sado që zyrtarisht nuk u largua asnjëherë, e paralajmëroi deputetja Mimoza Musa. “Unë kam shumë raporte korrekte, vazhdoj të kem shumë raporte korrekte me z. Fetain. Asesi nuk është një ndarje, sepse unë mendoj ndarjet mund të ndodhin kur kemi diferenca ideologjike siç ndodhi me z. Taravari. Me Arben Fetain asnjëherë nuk kemi pasur probleme ideologjike, dhe të them divergjenca ideologjike. Ne jemi bashkë. Vazhdoj të kem raporte korrekte, me z. Fetain. Takohemi kohë pas kohe. Para 2 jave jemi takuar për herë të fundit. Rruga jonë është për bashkimin e VLEN-it. Të dy me Arben Fetain jemi në këshillin drejtues ku kemi qenë unë z. Fetai dhe ministri dhe ca funksionarë të tjerë. Nuk ka pasur dyshime vazhdimësia jonë është VLEN-i. Parimisht z. Fetai më ka dhënë mbështetjen për të qenë nënkryetare e VLEN-it”, deklaroi Musa,e cila përkundër deklarimit për ‘raporte shumë korrekte’ sikur asnjëherë tv mos kishin pasur probleme, më herët haptazi kishte marë anën e Aliut, shkruan Lideri.mk.

Në këtë kontekst të ri të zhvillimeve, krijohet përshtypja se deputetja Mimoza Musa do të jetë edhe udhëheqëse e ASH-VLEN, deri në shkrirjen e shpejtë të këtij subjekti me subjektet tjera përbërëse në VLEN-in e përbashkët, por edhe pika që do të bashkojë dy anët e ndara. Sepse raportet e ftohura politike sot edhe një herë i ka konfirmuar ministri i shëndetësisë Azir Aliu.

“Pra ne kemi vendosur që nënkryetare do të jetë zonja Mimoza Musa, edhe si zonjë edhe si përfaqësuese e Aleancës për Shqiptar, si deputete dhe kontributi i saj duhet të çmohet”, tha Aliu.

I pyetur nëse Arben Fetai do të vazhdojë të jetë ministër edhe pas paraljmërimit për rikonstruim të qeverisë, Aliu tha:

“Nuk jemi ulur të flasim për riorganizim të qeverisë, pasi që në këtë periudhë merremi me aspektin organizativ dhe teknik, besoj që pas kongresit do të jetë gjithçka më e qartë”, tha Aliu.

Aliu shtoi se me Fetain nuk ka komunkim politik, por që vazhdojnë të kenë komunikim personal.

E pak për shkak të raporteve të relaksuara brenda ASH-VLEN, e me tepër me rastin e kalimit në Qeveri të Ligjit për përfaqësim të drejtë, gjatë përpilimit të së cilit ishte përfaqësues i VLEN-it, Arben Fetai sot ka bë paraqitjen e tij të parë në opinion, pas një kohe të gjatë.
me këtë rast, Fetai theksoi rëndësinë e miratimit të Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke e cilësuar si hap historik për rikthimin e drejtësisë dhe barazisë reale në institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Për vite me radhë, parimi i përfaqësimit të drejtë është keqpërdorur përmes mekanizmave të paqarta, duke u kthyer në instrument të kalkulimeve politike,” tha Fetai. Ai shtoi se i ashtuquajturi “balancues”, që duhej të garantonte barazi, në praktikë u shndërrua në mjet manipulimi dhe punësimesh të motivuara nga interesa të ngushta partiake.
Ligji i ri, sipas Fetait, mbyll zbrazëtitë juridike dhe vendos standarde të qarta, të detyrueshme dhe transparente për përfaqësim të drejtë dhe adekuat. Ky është një hap drejt institucioneve që reflektojnë realisht përbërjen e shoqërisë dhe funksionojnë mbi bazën e drejtësisë dhe barazisë.
Fetai nënvizoi se zbatimi i plotë i këtij ligji do të tregojë se epoka e keqpërdorimeve dhe manipulimeve me përfaqësimin adekuat i përket së kaluarës./Lideri

sqShqip