“Arabi” i përfolur në autobusin e djegur është shtetas bullgar, nuk ka qenë në autobus, ja si ndodhi gabimi!
Sonte, “BNT” bullgare bëri të ditur se është zbardhur misteri rreth udhëtarit të tetë, i cili dyshohet se është në mesin e të shpëtuarve nga aksidenti tragjik në autostradën “Struma” në Bullgari. Sipas televizionit, gabimi ka ndodhur në spitalin “Pirogov”, transmeton TetovaSot.
Misteri është zbardhur, për arsye se ka mospërputhje mes listës së të lënduarve në aksident dhe listës së pjesëmarrësve në udhëtimin e kompanisë turistike maqedonase.
Shadi Nauf al Saleh u shfaq në redaksi. Ai shpjegoi se nuk kishte asnjë lidhje me aksidentin. Ai është shtetas bullgar dhe të shtunën është shtruar në repartin e traumës së Pirogov për shkak të një thyerjeje të krahut. Rezulton se në klinikë ai është futur gabimisht në listën e të lënduarve nga autostrada e Strumës. Saleh tashmë ka dalë nga spitali, raportoi BNT.
Ky konfuzion ka lindur pasi në konferencën e sotme për media të Prokurorisë Publike Bullgare u tha se nga autobusi u nxorrën 44 trupa, ndërsa 8 nga pasagjerët mbijetuan.