Apeli prekës i të riut: Vëllai im Ajeti po lufton me kancerin, ju lutem ndihmojeni të jetojë
Një familje shqiptare po kalon një moment të papërballueshëm dhe ka bërë një apel për ndihmë, pasi njëri prej anëtarëve të saj po lufton me një sëmundje të rëndë. Ajet Alibehaj, 31-vjeç nga Mallakastra është diagnostikuar me kancer të zorrëve, dhe pas operacioneve të shumta dhe trajtimeve intensive, ai ndodhet aktualisht në një situatë shumë të vështirë.
Për shkak të kushteve të jo të mira financiare, familja ka hapur një fushatë për të mbledhur fonde që do t’i mundësojnë Ajetit të vazhdojë trajtimin në Turqi, ku mjekët po ofrojnë kimioterapi intensive. Shuma që nevojitet është 34,000 euro, dhe çdo kontribut është jetik për të siguruar që Ajeti të ketë mundësinë të vazhdojë luftën për jetën.
Vëllai i Ajetit, Urim Alibehaj ka dhënë një intervistë prekëse për TVA News, ku ka bërë thirrje për solidaritet dhe ndihmë. “Na duhet çdo dorë ndihme për të kaluar këtë moment të rëndë” tha ai. Ai bën thirrje për ndihmë, duke theksuar se çdo kontribut, sado i vogël, është një hap drejt shpëtimit të jetës së Ajetit.
Për të kontribuar dhe ndihmuar këtë familje në nevojë, mund të vizitoni linkun GoFundMe të hapur nga ata. Shpërndarja e këtij apeli mund të bëjë një ndryshim të madh, dhe të mundësojë që Ajeti të vazhdojë të luftojë këtë betejë të rëndë.